Shkelja Masive e Kushtetutës Nuk u Vërejt Nga Askush

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kësaj radhe transmetoi një hulumtim i cili fakton se mbi 8 mijë qytetarëve në shtetin tonë, u janë shkelur të drejtat e tyre themelore kushtetuese. Hulumtimi ka faktuar se dënimi me burgim i rreth 8 mijë qytetarëve nga viti 2008 e deri më 2016 për vepra të natyrës kundërvajtëse është anti-Kushtetutes, pasi që kushtetuta jonë nuk e lejon dënimin me burgim për vepra të kundërvajtjes.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, shqetësues është fakti se asnjë gjyqtarë nga asnjë instancë, dhe asnjë nga institucionet tjera përgjegjëse nuk janë kujtuar që të konsultojnë kushtetutën kur kanë dërguar mbi 8 mijë njerëz në burg.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, e pranon se që nga viti 2008 e deri më sot nuk është dashur të dënohen me burgim ata që kanë kryer kundërvajtje.

Por, ai për këtë thotë se shteti duhet të mbahet përgjegjës dhe t`i kompensojë secilin person që i janë shkelur të drejtat e garantuara me kushtetutë, pasi që sipas tij privimi nga liria pa të drejtë është shkelje e rëndë e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani e pranon se pasojat tanimë janë të pa-evitueshme dhe se rreth 8 mijë qytetarëve u janë shkelur të drejtat e garantuara me kushtetutë.

Mirëpo, ai ka thënë se përgjegjësia bie tek të gjithë, nisur nga gjykatat e shkallës së parë e deri tek gjykata që udhëheq ai.

Linku i plotë i emisionit