Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Qeveria: Sulmi-Përpjekje për Pengim të Fjalës së Lirë

Për Qeverinë e Kosovës sulmi në oborrin e shtëpisë së Mentor Shalës ka synim pengimin e fjalës së lirë.

“Ky akt kriminal, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave në Kosovë dhe përpjekje për pengimin e fjalës së lirë, si një prej vlerave më të rëndësishme në shoqërinë kosovare,” thuhet në reagimin e qeverisë.

Ekzekutivi i vendit fton institucionet e rendit dhe drejtësisë që të gjejnë kryesit e sulmit të tillë.

“Qeveria e Kosovës fton organet kompetente që të ndriçojnë këtë rast dhe që kryesit e nxitësit e tij të përballen me forcën e ligjit dhe po ashtu që të merren të gjitha masat për parandalimin e sulmeve të tilla në të ardhmen,” vazhdon reagimi.

Qeveria fton edhe përfaqësuesit e subjekteve politike që të mos bëjnë sulme verbale ndaj RTK-së.

“Qeveria e Kosovës u bën thirrje përfaqësuesve të partive politike që të heqin dorë nga gjuha e dhunës, ultimatumet, kërcënimet dhe shantazhet që së fundi i kanë adresuar ndaj RTK-së dhe disa mediave tjera private, të cilat janë pasuar me sulme të tilla,” përfundon reagimi.