Pamje nga një mbledhje e mëhershme e Qeverisë - Foto: ZKM

14 Vendimet e Mbledhjes së Qeverisë

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u vendos që të shtyhet për dy javë regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në komunat veriore që nuk iu patën nënshtruar këtij procesi në vitin 2011.

Qeveria ndau sot 250 mijë euro për Qendrën Kinematografike të Kosovës, pas nominimit të filmit “Shok” për Oscar. Ky film u financua nga kjo qendër.

Qeveria  ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” Sh.A. në Prishtinë dhe Ndërmarrjes Publike Lokale “Ambienti” Sh.A në Ferizaj.

Isa Mustafa tha se këto ndërmarrje duhet të mbulojnë vetë nevojat e veta.

“Pagat e punonjësve në ato kompani nuk janë paga që sigurohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe ata nuk kanë status të shërbyesve civilë. Ata janë punonjës të një kompanie publike, e cila në qoftë se nuk i plotëson kushtet mund të shkojë në likuidim ose falimentim. Por, në këtë rast ministria dhe grupi ndërministror ka qenë i detyruar që të përcaktojë kriteret që ata mund të kthehen në afarizëm për t’i plotësuar shpenzimet e veta dhe për të afaruar me llogari pozitive,” tha Mustafa.

Kabineti qeveritar miratoi edhe Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Sipas ndryshimeve në këtë ligj KGJK-ja me miratimin e kryetarëve të gjykatave mund të transferojë një gjyqtar në një gjykatë tjetër për një periudhë kohore të arsyeshme, në rastet kur gjykata tjetër ka numër të pamjaftueshëm të gjyqtarëve për shqyrtimin e lëndëve.

Transferimi i një numri të gjyqtarëve në Departamentin e Krimeve të Rënda është njëri nga tetë kriteret e fundit të Komisionit Evropian për liberalizim vizash.

Në mbledhjen e ekzekutivit u miratua në parim nisma për lidhjen e marrëveshjes në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Maltës për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve.

Me propozimin e Ministrisë së Arsimit qeveria miratoi propozimin që organizata joqeveritare ECMI Kosova të mbështesë punën e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme dhe objekteve të “Banka Themelore e Bankës së Lubjanës në Prishtinë” për nevoja të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Po ashtu qeveria miratoi edhe koncept dokumentin për rregullimin e fushës së pensioneve; koncept dokumentin për çështjen e trajtimit të ndërtimeve pa leje; koncept dokumentin për çështjet e kadastrës dhe koncept dokumentin për rregullimin e shërbimeve private të sigurisë në Republikën e Kosovës, ndërsa ia vazhdoi mandatin 3 vjeçar Elhami Hajdarit, kryesghefit ekzekutiv të  Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.