Ilustrim: Kallxo.com

Projektligji për punëtorët e arsimit në vitet e 90-ta miratohet në shqyrtim të parë

Projektligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të viteve 1990/99 ka kaluar në shqyrtim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Kjo u quajt lajm i mirë nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi i cili i’a atribuoi MASHT-it përgatitjen e këtij ligji për aprovim.

“Lajm i mirë për të gjithë punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës që kanë dhënë kontribut nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99. Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot kanë miratuar shqyrtimin e parë të Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99”, shkroi Bytyqi.

Sipas këtij Projektligji, përfitues të këtij statusi të veçantë janë mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë, drejtori dhe zv.drejtori i shkollës, personeli administrativ, personeli teknik i shkollave, të punësuarit në arsimin e lartë sipas sistemit të arsimit shqip, institucionet, organet dhe institutet e tjera që kanë qenë pjesë e arsimit të kësaj periudhe.

Pensionet e parapara rangojnë nga 65 përqind deri në 75 përqind të rrogës bazë të mësimdhënësve për ata që punuan në sistemin paralel deri në pesë dhe përkatësisht 10 vite.

Qeveria e Kosovës nën kërcënimin e grevës së mësimdhënësve, kaloi Projektligjin për Punëtorët e Arsimit në Vitet e 90-ta më 11 prill.

Ky projektligj u kritikua nga Fondi Ndërkombëtar Monetar (FMN), pasi sipas tyre nëse hyn në fuqi mund të ketë kosto shumë të madhe për buxhetin që komprometon edhe investimet në të ardhmen e arsimit.

“….Ne do të këshillonim fuqimisht që të mos ecim përpara me këtë projektligj në formën e tij aktuale”, kishte thënë përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, Ruud Veremulen për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë kishte bërë me dije miratimi i këtij projektligji është e vetmja rrugë për të evituar grevat e përgjithshme të mësimdhënësve.

http://kallxo.com/gjnk/mesuesit-e-rezistences-kerkojne-njohjen-e-kontributit/

17 Maj 2018 - 18:54

Doruntina Baliu 17/05/2018 - 18:54
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend