Policia: Nuk iu Gjetën Armë Penguesve të Delegacionit Serb

Policia e Kosovës në një njoftim për mnedia ka demantuar disa media serbe që thanë se në Llapnasellë iu gjetën armë disa personave.

Policia sqaron se delegacionin nga Serbia ku nuk ishte eskorta e Vuçiqit e pengoi një automjet.

“Rreth 13.05 min, njësia në lëvizje e cila ka qenë në parapërcjellje të përfaqësuesve nga delegacioni i Serbisë, i cili ka qenë duke shkuar në drejtim të Graçanicës, saktësisht në dalje të autostradës në Veternik, kanë ndaluar një veturë civile e cila ka penguar qarkullimin e automjeteve zyrtare”, shpjegon policia.

Policia tregon më tutje se vozitësi i këtij automjeti është ndaluar, ndërsa delegacioni e ka vazhduar rrugën.

“Vozitësi i automjetit është ndaluar nga zyrtarët policor, përderisa automjetet zyrtare me delegacionin e përfaqësuesve nga Serbia kanë vazhduar sipas agjendës pa incidente dhe nuk bëhet fjalë për gjetje të ndonjë arme”, sqaron policia.

Policia tregoi se në kohën kur ndaloi automjetin Presidenti Aleksandar Vuçiq ndodhej ende në veri të vendit.