Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia Konfiskon 50 Kilogramë Marijuanë

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, sipas një komunikate të lëshuar nga policia, në dy aksione të ndara në dy vende të ndryshme të Kosovës ka konfiskuar 50 kilogramë e 305 gramë marijuanë.

Kjo drejtori gjatë aksionit të parë në Magjistralen Prishtinë-Podujevë ka zënë në flagrancë disa persona duke kryer shitblerje të kësaj droge.

“Në magjistralen Prishtinë–Podujevë, gjatë realizimit të një operacioni policor, me 21.04.2017, DHTN-ja ka arrestuar katër të dyshuar, pasi janë zënë në flagrancë duke bërë shitblerjen e substancave narkotike”, thuhet në komunikatën e policisë.

Sipas komunikatës janë arrestuar personat me inicialet A. J. dhe E. T., shtetas të Shqipërisë dhe shtetasit e Kosovës Z. E. dhe A. E.

Gjatë këtij aksioni policia ka konfiskuar 31 kilogramë marijuanë, por edhe mjete tjera.

“Në këtë operacion janë konfiskuar rreth 31 kg lëndë narkotike të llojit marihuanë, dy vetura (njëra me targa të Shqipërisë kurse njëra me targa të Zvicrës) dhe 6 telefona mobilë”,sqaron komunikata.

Të arrestuarve me urdhër të prokurorit u është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë-Njësia në Prizren po dje ka konfiskuar 19 kilogramë  e 305 gramë marijuanë edhe në një kamion që po transportonte mobilje drejt Zvicrës.

“Në Terminalin Doganor në Prizren, DHTN së bashku me Njësinë Policore K9 dhe Doganat e Kosovës ka kontrolluar kamionin e lartcekur. Gjatë kontrollimit, të fshehura në mobile, janë gjetur 34 paketime plastike në të cilat gjendej një substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë  me peshë: 19 kg e 305 gramë”, sqaron komunikata.

Kamioni sipas policisë i takonte një kompanie transportuese nga Vitia.

Prokuroria në Prizren, personit me inicialet A. B. ia ka caktuar ndalimin policor prej 48 orësh.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për aksionet e policisë kundër narkotikëve. Këto shkrime mund t’i lexoni këtu.

Edhe në Rubrikën “Policia” të “Emisionit “Drejtësia në Kosovë” shpesh janë shfaqur aksione kundër drogës.

http://kallxo.com/aksioni-policia-ndalon-veturen-ne-te-cilen-gjen-narkotik/

http://kallxo.com/fundi-rrjetit-te-droges-shqiperi-kosove-serbi/

http://kallxo.com/aksioni-arrestimi-policit-per-transport-marijuane/