Partia e Vuçiqit Mirëpret të Dënuarin për Krime Lufte

Ish-koloneli i Armatës Popullore Jugosllave dhe i dënuari për krime lufte Veselin Sljivancanin do të flasë në një mbledhje të Partisë Progresive Serbe të martën në mbrëmje në qytetin e vogël verior të Beskës, pasi mbajti fjalën në një tjetër event në Vrsac një ditë më parë, duke shkaktuar kritika nga grupet e të drejtave të njeriut.

Sljivancanin u tha anëtarëve të Partisë Progresive Serbe në Vrsac të hënën se ai kishte ardhur “të thoshte të vërtetën” dhe fajësoi për dënimin e tij me burg autoritetet që erdhën në pushtet në Serbi pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviçit në vitin 2000, sipas një raporti nga portali vendas eVrsac.

Por grupet e të drejtave të njeriut ngritën shqetësime se kriminelët e luftës po rehabilitoheshin.

OJQ-të serbe Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Qendra për të Drejtën Humanitare, Gratë me të Zeza dhe Qendra Qytetare e Vojvodinës bënë thirrje për anulimin e eventit të ditës së martë në Beska dhe paralajmëruan se fushata e ardhshme për zgjedhjet presidenciale në Serbi do të mund të jetë një kërcënim për paqen në rajon.

“Mendoj se kjo situatë me Sljivancanin nuk është hera e parë apo e fundit e rikthimit të kriminelëve të luftës dhe hapjen e hapësirës publike për ata që i kryen dënimet e tyre,” tha Zeljko Stanetiç nga Qendra Qytetare e Vojvodinës për BIRN.

Sljivancanin u dënua me dhjetë vjet burg se ndihmoi dhe inkurajoi në torturimin e të burgosurve jo serbë nga Vukovarit në Kroaci në vitin 1991. Ai u lirua në vitin 2011, pasi vuajti dy të tretat e dënimit të tij.

Ai tha në takimin e ditës së hënë në Vrsac se së shpejti do të botonte një libër të titulluar “Në shërbim të atdheut”.

Kjo s’është dalja e tij e parë publike në një event fushate për Partinë Progresive. Ai mori pjesë në një nga eventet para zgjedhore në fshatin verior të Backi Gracac në mars 2016.

Nemanja Stjepanoviç nga Qendra për të Drejtën Humanitare e akuzoi partinë qeverisëse për hipokrizi duke ftuar Sljivancanin të fliste në takimet e saj.

“Kryeministri serb tha së fundmi se Serbia nuk i mbron kriminelët e luftës. Pak ditë pas deklaratës së tij, ne mësojmë se një kriminel lufte do të flasë në një diskutim të partisë qeverisëse,” tha Stjepanoviç për BIRN.

“Çfarë po na tregon qeveria me këtë? Krejt ndryshe nga kryeministri, ajo po na tregon se të dënuarit për krime lufte duhet të kthehen dhe të rrisin reputacionin e tyre,” shtoi ai.

Ai tha gjithashtu se pajtimi me Kroacinë do të jetë i vështirë nëse partia qeverisëse po trajton një kriminel që ishte përgjegjës për vuajtjet e kroatëve si një autoritet shoqëror dhe politik në Serbi.

Kur Sljivancanin foli në fushatën e Partisë Progresive vitin e kaluar, ai tha se mori pjesë sepse shumë nga miqtë e tij dhe ushtarët që ishin pjesë e njësisë së tij tani janë anëtarë të partisë.

“Unë jam sot këtu për shkak të kryeministrit Aleksandër Vuçiç dhe vëllait të tij Andrej dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të ndershëm të Serbisë që më mbështetën gjatë atyre kohëve të vështira kur u arrestova dhe dërgova në Hagë,” shtoi këtu.