Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim për Zyrtarin e Policisë së Kosovës

Zyrtarit të stafit civil të Policisë së Kosovës, Bajram Bytyqit, i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji.

Bytyqi është arrestuar dje pas një hetimi disamujor nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale – keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe mashtrim.

Gjykatësi i procedurës paraprake Isuf Makolli pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit Feti Tunuzliu për caktimin e paraburgimit ndaj Bajram Bytyqi në kohëzgjatje prej një muaji.

Paraprakisht është mbajtur seanca për caktimin e paraburgimit ku edhe mbrojtja ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë.

Në aktvendimin për caktim të paraburgimit të cilin e ka siguruar KALLXO, bëhet e ditur se Bytyqi ka mohuar kërkesën e prokurorit për paraburgim.

“E kundërshtoj kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit, unë jam në punë çdo ditë, dhe kur më ka thirrë IPK- ja në orën 9 unë kam qenë në atë kohë dhe unë jam i punësuar në Policinë e Kosovës dhe jam i gatshëm në çdo kohë të paraqitem pranë Prokurorisë dhe organeve të ndjekjes nuk kam arsye pse të largohem. Unë nuk e kam kryer këtë vepër penale, ndërsa sa i përket dyshimit të bazuar e mohoj në tërësi sepse unë vetëm kam huazuar mjete nga të përmendurat të cilat edhe i kam kthyer”, citohet të ketë thënë Bytyqi.

Si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK dje i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e këtij zyrtari.