Olimpistët e Matematikës Shpërblehen nga Ministria e Arsimit

Në mesin e katër pjesëmarrësve nga Kosova, nxënësi i gjimnazit matematikor në Prishtinë, Shend Zhjeqi fitoi medaljen e bronztë në këto gara.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, në një konferencë për shtyp tha se këtyre të rinjve duhet t’u ofrohen kushte për punë të mëtejme për t’i rritur njohuritë në matematikë.

“Ky rezultat tregon se ne kemi nxënës inteligjentë dhe se nuk është e pamundshme që të ndërtojmë një sistem cilësor të arsimit në mënyrë që nxënësit të jenë plotësisht të barabartë me nxënësit në botë”, tha Bajrami.

Ai shtoi se Ministria e Arsimit është duke përgatitur vendimin që këtyre nxënësve t’u dhurohen bursa shtetërore.

Por para se të arrihet të ky vendim, Bajrami i dhuroi Shend Zhjeçit një shpërblim prej 1 mijë euro ndërsa pjesëmarrësve tjerë shpërblime në shumë më të vogël nga 500 e 300 euro.

Nxënësit, po ashtu u shpërblyen edhe me nga një Giftkardë, në vlerë prej 99 euro, me të cilën mund të pajisen me titujt të ndryshëm, në njërën nga libraritë e kryeqytetit.

Shend Zhjeqi falënderoj Ministrin Bajrami edhe pse tha se mbështetja e Ministrisë për pjesëmarrje në këtë garë ishte përgjegjësi e tyre.

‘Falënderoj Ministrnë që na ka mundësuar që të shkojmë atje, edhe pse ajo është përgjegjësi e tyre por i falënderoj që e kanë plotësuar atë dhe shpresoj që do të ketë përkrahje shumë më shumë për matematikën”, tha Zhjeqi.

Përveç nxënësve, ministri ndau mirënjohje edhe për Profesorin e Shoqatës se Matematikantëve, Muhim Lohaj si dhe për Valmir Krasniqin nga Instituti Atom i cili ka përgatitur nxënësit për këtë garë.

ONM është gara më e rëndësishme ndërkombëtare e matematikës, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e botës, të përfaqësuara nga nxënësit më të mirë të matematikës. ONM është kampionati botëror i matematikës për nxënësit e shkollave të mesme.