Nebojsha Stefanoviq - Foto: Rtv21

Ministri serb flet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, deklaroi se vendi i tij është i interesuar të zbardhë vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, i vrarë në veri të Mitrovicës.

Por, sipas tij, nuk ka interesim për një gjë të tillë edhe nga pala kosovare.

Ai tha se nuk ka shkëmbim të informacioneve për rastin e vrasjes së Ivanoviqit dhe i bëri thirrje EULEX-it që seriozisht të përfshihet në zgjidhjen e këtij rasti.

“Kur nuk ka hetime, rezultate, xhirime, shkëmbim të informacioneve, nuk ka asgjë dhe duket se nuk ekziston vullneti nga ana tjetër”, u shpreh Stefanoviq.

Ndryshe politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar.

Ai u varros një ditë më pas në Beograd.

Deri tani policia ende nuk ka arrestuar ndonjë të dyshuar lidhur me vrasjen e Ivanoviqit./21Media