“Mbrojtja Civile”, Shërbyes apo Banditë?

Formacioni në veri të Mitrovicës “Mbrojtja Civile”, i formuar në vitin 2006, në kohën kur në Serbi ishte qeveria e Vojisllav Koshtunicës, llogaritet t’i ketë mbi 700 pjesëtarë, më shumë sesa që Kosova ka zjarrfikës.

Formacioni në veri të Mitrovicës “Mbrojtja Civile”, i formuar në vitin 2006, në kohën kur në Serbi ishte qeveria e Vojisllav Koshtunicës, llogaritet t’i ketë mbi 700 pjesëtarë, më shumë sesa që Kosova ka zjarrfikës.

NDËRLIDHUR

Madje pjesëtarë të saj janë edhe ish-oficerë të ushtrisë serbe. Komuniteti serb në veri e sheh atë si siguri për ta, kurse ekspertë të sigurisë thotë se ky formacion rrezikon sigurinë kombëtare.

Në bazë të një hulumtimi që ka bërë Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë thotë se “Mbrojtja Civile” nga komuniteti serb në veri shihet si mbrojtje. Për dallim nga kjo, qytetarët shqiptarë në jug të qytetit këtë formacion e shohin si strukturë paralele dhe si një grup bandash kriminale.

E ardhmja e pjesëtarëve të këtij formacioni u shtrua në debat në emisionin e fundit “Tema” të drejtuar nga Faik Ispahiu, në kuadër të emisionit “Jeta në Kosovë”.

Maja Bjelosh, hulumtuese nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë se në Serbi  nuk flitet për temën e “Mbrojtjes Civile”, e as për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit në përgjithësi.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit në terren nuk është fare duke u vërejtur”, thotë ajo.

“Ajo që kemi kuptuar është se pritet shprehja e vullnetit politik dhe se kjo përbën segmentin më të rëndësishëm. Njerëzit janë të vetëdijshëm se kjo do të realizohet, ngase është dërguar mesazhi i qartë politik se është arritur marrëveshja për integrimin e tyre (Mbrojtjes Civile), por mbetet të përcaktohet mënyra dhe modalitetet e integrimit të tyre, por edhe saktësisht ku do të integrohen ata”, thotë më tej Bjelosh.

Sipas saj, ajo që u pengon më së shumti pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile” me të cilët thotë se ka biseduar, është se ata fare nuk janë pyetur se ku do të mund të integroheshin apo ku do donin të integrohen ata.

Nga ajo që ka parë Bjelosh, thotë se pjesë të “Mbrojtjes Civile” janë edhe ish-oficerë të ushtrisë serbe.

“Një pjesë e pjesëtarëve janë ish-oficerë të ushtrisë”, shton ajo.

Ndërkaq, Isidora Stakiq, po ashtu hulumtuese nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë se ky formacion ekziston qysh nga viti 2006. Sipas saj, nga komuniteti serb në veri ky formacion shihet si mbrojtje për ta.

“Serbët nga veriu atë e shohin si formacion civil, si mbrojtje civile e cila për qëllim kryesor ka ofrimin e përkrahjes për popullatën në situata të jashtëzakonshme. Sidoqoftë, kemi mësuar se Mbrojtja Civile në formën aktuale të saj ekziston që nga viti 2006 që do të thotë se është krijuar në kohën e qeverisë së Vojisllav Koshtunicës në Serbi”, thotë ajo.

Megjithatë, ajo thotë se në veri të Kosovës Mbrojtja Civile është kompetencë e autoriteteve lokale. Stakiq  thotë se “Mbrojtja Civile” ka rreth 750 pjesëtarëve, për të cilët thotë se financohen nga katër komunat e veriut.

Stakiq, në bazë të informacioneve që ka thotë se pjesëtarët e këtij formacioni nuk janë të armatosur. Këtë fakt ajo e bazon në informatat që i ka marrë nga njerëzit e “Mbrojtjes Civile”. Por ajo nuk siguron që ndonjëri prej tyre të mos jetë i armatosur.

“Kjo është informata që ne kemi marrë – se ata nuk janë të armatosur si njësi dhe se nuk kanë kaluar trajnime ushtarake si njësi në përbërje të kësaj strukture ka ish-ushtarakë dhe sa i përket armatimit, për aq sa unë di, në Kosovë ekziston një numër i madh i armëve ilegale që do të thotë se shumë civilë posedojnë armë në Kosovë dhe është shumë e mundur që disa prej tyre që posedojnë armë ilegale të jenë anëtarë të Mbrojtjes Civile”, thotë Stakiq.

Por Valdete Idrizi – aktiviste e Shoqërisë Civile në Mitrovicë, thotë se pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” i ka parë të armatosur.

“Po, po i kam parë me armë”, thotë ajo.

Përshtypjet e shqiptarëve në jug të Mitrovicës, sipas Idrizit, janë që “Mbrojtja Civile është një grup bandash”.

“Popullata shqiptare e sheh si një strukturë paralele, disa mendojnë se është një grup bandash kriminale, një strukturë e cila nuk i ka lënë të kthehen shqiptarët në veri dhe një strukturë që financohet nga Beogradi. Perceptimi është se ata janë aty për ta luajtur një rol destruktiv sa i përket integrimit të qytetit”, thotë Valdetja.

Për ekspertin e çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja, “Mbrojtja Civile” rrezikon sigurinë kombëtare.

“Konsideroj që në gjendjen që është tash formacioni i quajtur “Mbrojtja Civile” përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe përbën një sfidë për rendin kushtetues të Kosovës”, thotë Florian Qehaja – drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

Sa i përket marrëveshjes së Brukselit për integrimin e këtyre pjesëtarëve në strukturat e sigurisë së Kosovës, ai thotë se marrëveshja e Brukselit duhet të jetë më e specifikuar, sepse aty i referohet vetëm integrimit të pjesëtarëve të MUP-it serb, por nuk i referohet formacionit të “Mbrojtjes Civile” në mënyrë të saktë dhe i referohet si struktura tjera.

Sipas tij, qëllimi i formimit të këtij formacioni ka qenë i qartë, në mënyrë që të reagojë ndaj sundimit të ligjit dhe ndaj disa veprimeve në veri.

15 Mars 2015 - 15:23

Mehdi Mulaj 15/03/2015 - 15:23
NDËRVEPRIMI0

“Mbrojtja Civile”, Shërbyes apo Banditë?

by Kallxo
NA NDIQNI