Lumezi: Të Goditen Burimet e Financimit të Terrorizmit

Komentet e Lumezit u bënë në një konferencë që i kushtohet financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave të organizuar nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve, Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnimin e Hetimeve Penale (ICITAP) dhe Programi për Ndihmë, Trajnim dhe Zhvillim Prokurorial Jashtë Vendit (OPDAT) në Kosovë.

“Mirëmbajtja e rrjetit terrorist, duke përfshirë rekrutimin, planifikimin, stërvitjen, kampanjën mediale dhe çdo pasuri tjetër fizike paraqesin një infrastrukturë  të gjerë në të cilën grupet terroriste fatkeqësisht janë gjendur mjaft mirë ngase kanë krijuar fonde të ardhurash që financojnë dhe me këtë edhe mundësojnë kryerjen e veprave terroriste anë e mbanë globit”, tha Lumezi në konferencë.

“Andaj është po aq jetike të goditen edhe burimet e tilla financiare. Sa më të suksesshëm të jemi në ndaljen e financimit të terrorizmit, aq më të mëdha i kemi gjasat që luftën ta fitojmë në tërësi”, shtoi ai.

Duke u shprehur se aktivitetet terroriste në pjesë të ndryshme të botës janë në rritje, Lumezi tha se Kosova dhe sistemi prokurorial i ka dhënë rëndësi të posaçme luftimit të këtij fenomeni.

“Në këtë drejtim me mburrje mund të them se sistemi prokurorial ka goditur në themel aktivitetit dhe grupet terroriste. Nuk mungojnë as aktgjykimet dënuese dhe përfundimisht Kosova dhe sistemi gjyqësor kanë arritur sukës të lakmueshëm në këtë drejtim”, tha ai.

Sipas Lumezit, në vitin 2016 janë pranuar 37 kallëzime penale me 103 persona ndërsa janë zgjidhur 28 kallëzime penale me 66 persona.

Ndërsa gjatë periudhës janar – mars 2017, është pranuar 1 rast me 3 persona dhe janë zgjidhur 6 kallëzime penale me 8 persona.

“Sikurse po vërehet kemi reduktim të numrit të lëndëve të pranuara dhe kjo mund të them me plot gojën se është reflektim i përgjigjes adekuate që ka zhvilluar sistemi gjyqësor ndaj këtij aktivitetit tejet të rrezikshëm”, tha ai.