Kuvendi Rinis Punën pas ‘Pauzës’ në Kohë të Zgjedhjeve

Pas disa javëve pauzë për shkak të zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës pritet t’i kthehet punës të enjten në një seancë plenare me 23 pika të rendit të ditës.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare të cilët u takuan sot për ta caktuar datën dhe agjendën për seancën e ardhshme.

“Arsyeja është baza që seancat e kuvendit janë mbajtur vetëm dy a tri, prej kur janë konstituuar institucionet e Republikës së Kosovës, dhe kjo tregon një papërgjegjësi e kryetarit të kuvendit, karshi seancave parlamentare, ne do të mblidhemi të enjten për të diskutuar për pikat të cilat janë grumbulluar”, tha pas mbledhjes Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes.

Ajo tha edhe se kanë kërkuar që grupi parlamentar i PDK-së, t’ia lëshojë zyrat grupit parlamentar të LVV-së meqë kjo parti tani ka grupin më të madh të deputetëve në Kuvend.

“Vetëvendosje ka kërkuar kohë më parë që grupi parlamentar i PDK- që sot është grupi i tretë parlamentar, t’i lirojë zyrat e grupit më të madh parlamentar që do të thotë t’ia lirojë zyrat LVV-së. Deri më tani nuk kemi parë një veprim të grupit parlamentar duke i uzurpuar kështu lëvizjes e VV-së, prandaj dhe sot kërkuam që si grup parlamentar PDK-ja të na lirojë grupit tonë parlamentar. Kryetari tha që këtë çështje e bartin në sekretarinë e Kuvendit, por këta kanë pasur një presion të hatashëm mbi Sekretariatin e Kuvendit duke mos lejuar që e njëjta ta bëjë punën e saj”, tha Haxhiu.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se do të mundohen t’i diskutojnë të 23 pikat të cilat do të jenë në rend dite të enjten.

Veseli mohoi akuzat e opozitës për bllokim të Kuvendit në kohë të fushatës zgjedhore, duke thënë se ka qenë marrëveshje mes grupeve parlamentare që të mos mbahen seanca të Kuvendit gjatë periudhës zgjedhore.

“Po e them publikisht që të gjitha grupet parlamentare kanë kërkuar që mos te këtë seanca gjatë kësaj kohe. Pas kësaj kohe kur kishin dashtë mas fushate i kishim mbajt edhe 3. Sa i përket edhe zyrave të cilat janë të kuvendit, është e vërtete që s’janë tu mujt me u marr vesh grupet parlamentare, krejt çka kam kërku është që po tentoj me u tërheq pasi jam edhe kryetar i kuvendit, kam kërku që të drejtohen në institucione përgjegjëse dhe përfundon kjo çështje, por ndoshta dikush po përfiton me kriju kauza”, tha Veseli.