Albin Kurti në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Kurti: Dialogu me Serbinë Nuk Duhet Rifilluar Verbërisht

Platforma e parimeve të përgjithshme të dialogut, e zbërthyer në nëntë pika, parasheh që me me qeverisjen e LV do të fillojë menjëherë dialogu me të gjitha pakicat kombëtare në Kosovë, që do të jetë edhe dialog me serbët e Kosovës, dialog i hapur, demokratik dhe shoqëror, prej poshtë-lart, për zhvillim.

“Dialogu i deritashëm me Serbinë ishte dialog i mbyllur e diplomatik, prej lart-poshtë, pa transparencë dhe pa llogaridhënie”, thuhet në Platformë.

Sipas Platformës, pakicat kombëtare do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre sipas standardeve europiane.

Sa i përket dialogut të viteve 2011-2017 me Serbinë, i cili  ka katër muaj që është ndërprerë, Platforma e Vetëvendosjes thotë se ai dialog nuk duhet rifilluar verbërisht.

“Në të ka pasur shumë investim me pak dobi e jo pak dëme. Nga ai dialog Kuvendi i Kosovës ka qenë ose i përjashtuar ose i keqpërdorur. Produkti më famëkeq i tij ka qenë Marrëveshja e 25 gushtit 2015 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe (‘Zajednica’), e cila është nënshkruar në Bruksel gjersa Kuvendi ishte në pushim”, thuhet në pikën dy të Platformës.

Na nevojitet një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar dhe vlerësuar marrëveshjet e deritanishme me Serbinë si dhe për zbatimin, përkatësisht moszbatimin e tyre, thekson Platforma e bërë publike nga Albin Kurti.

Qeveria e re do ta bëjë prioritet zhvillimin ekonomik që sjell punësim, luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit institucional përmes gjyqësorit të drejtë, dhe, politikat sociale që zbusin pabarazinë në shoqëri.

“Shteti i Kosovës duhet fuqizuar dhe nuk mund të lejojmë që agjenda jonë shtetërore të jetë kryekëput e zënë nga dialogu me Serbinë. Të ashtuquajturit ‘normalizim marrëdhëniesh’ asnjëherë nuk i është definuar qartë e saktë kuptimi”, theksohet më tej në Platformën e parimeve për dialogun.

Më tej, Platforma vlerëson se dialogu gjashtëvjeçar midis Kosovës e Serbisë ka pasur edhe premisa të gabueshme. “Kosova më shumë ka qenë temë e dialogut sesa palë në dialog, kurse Serbia ka qenë më shumë përcaktuese e agjendës sesa reflektuese për rrethanat e reja rajonale”, theksohet po ashtu në të.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje ky dialog ka përjashtuar temat e rëndësisë jetike si psh. të pagjeturit, viktimat e dhunës seksuale, plaçkitjet gjatë okupimit, dëmet e luftës, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc etj.

“Dështimet e njëpasnjëshme që ka sjellë dialogu në këto gjashtë vitet e fundit vijnë edhe nga nxitimi për fillimin e tij pa përgatitje paraprake, pra pa e patur njëherë një dialog mbi dialogun”, vlerëson Vetëvendosje.

Më tej, në Platformë thuhet se dialogu me Serbinë, i zhvilluar në të kaluarën, jo vetëm që nuk e ka pasur transparencën e nevojshme publike dhe llogaridhënien institucionale por ai edhe është privatizuar e personalizuar nga krerët politikë e shtetërorë.

Në Platformë thuhet po ashtu se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti do të kërkojë dhe do të angazhohet për të ndërtuar një konsensus nacional e shoqëror, institucional e publik, për raportin me Serbinë në të tashmen dhe në të ardhmen.

“Nuk mund të lejojmë më që Serbia të hyjë mes nesh e midis nesh. Pozita dhe opozita mund të ballafaqohen për aq shumë çështje politiko-administrative e socio-ekonomike por jo edhe për Serbinë, qëndrimin tonë karshi saj dhe raportin tonë me të”, thuhet në Platformën e parimeve për dialogun të bërë publike nga Albin Kurti në profilin e tij në “Facebook”.