Foto-ilustrim

Konfiskohet Snajperi

Konfiskimi i kësaj arme u bë, ngase sipas policisë personi me inicialet D> D> dyshohet se shtiu në një aheng.

“Sipas informacioneve të mbledhura, Policia e Skenderajt ka arritur që ta lokalizojë dhe identifikojë vendin e të shtënave, gjegjësisht fshatin Kosterrc në Skenderaj, ku dhe kishin arritur të identifikonin shtëpinë nga ku dyshohej se ishte shtënë me armë dhe njëkohësisht ishte identifikuar se kishte aheng familjar,” thuhet në komunikatën e Policisë rajonale të Mitrovicës.

Përveç pushkës gjysmë-automatike snajper policia konfiskoi edhe  një karikator dhe një sasi fishekësh dhe gëzhojat e mbetura si prova materiale.

Policia bën me dije se identifikoi vendin e të shtënave duke bashkëpunuar me qytetarët.

“Policia në Skenderaj pasi që ka dëgjuar disa të shtëna armësh dhe pas kontaktit me qytetar ka arritur te informacioni për lokacionin e të shtënave me armë zjarri, gjatë mbrëmjes të datës 20 gusht 2016,” vijon komunikata.

I dyshuari për të shtënat pas intervistimit është liruar, ndërsa ndaj tij është hapur procedura për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës, ose mjetit të rrezikshëm.

Të shtënat nëpër ahengje janë shumë të shpeshta gjatë verës, kur organizohen shumica e gëzimeve të tilla familjare.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për arrestime dhe konfiskime të armëve për shkak të të shtënave nëpër ahengje.