Nga një protestë kundër dhunës ndaj grave

KE: Gratë në Shqipëri Viktima të Dhunës

Autoritetet shqiptare duhet të bëjnë më shumë se vetëm ligje për t'i siguruar grave një jetë të lirë nga dhuna me bazë gjinore, rekomanduan ekspertët e Këshillit të Europës, duke shtuar se urdhrat e mbrojtjeve zbatohen pak dhe duhet të zgjerohen për çdo formë dhune.

Gratë e paarsimuara në zonat periferike dhe të varfra të Shqipërisë janë viktimat më të shpeshta të dhunës me bazë gjinore, zbuloi një raport i publikuar të premten nga Këshilli i Europës për Shqipërinë.

NDËRLIDHUR

Raporti i kryer nga Grupi i Ekspertëve për Veprim kundër Dhunës ndaj Grave dhe asaj në Familje (GREVIO), vlerësoi megjithatë se edhe pjesa tjetër e grave shqiptare (pavarësisht arsimimit) janë viktima të dhunës në familje.

Analizimi i situatës së grave viktima të dhunës nga GREVIO vjen në kuadër të përgjegjësive që Shqipëria ka marrë përsipër me ratifikimin e Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe asaj në Familje, e njohur ndryshe si Konventa e Stambollit.

Sipas raportit nën pretekstin e vlerave të familjeve tradicionale, në Shqipëri ekziston tendenca për të promovuar faljen dhe për të toleruar dhunën për ta mbajtur familjen bashkë, gjë që i bën gratë më të pambrojtura brenda familjes.

Në këtë aspekt, grupi i ekspertëve i bëri thirrje qeverisë shqiptare të bëjnë më shumë për të ndërgjegjësuar gratë, shoqërinë dhe qarqet profesionale se dhuna ndaj grave është më e përhapur nga sa besojnë njerëzit dhe nuk mund të pranohet në asnjë rrethanë.

Shqipëria u vlerësua për masat ligjore që autoritetet kanë marrë.

“Tirana ka zhvilluar një kornizë legjislative të mirë politikash të cilat njohin natyrën me bazë gjinore të dhunës ndaj grave”, thuhet në raport, “por më shumë përpjekje duhen bërë për të zgjidhur me efektivitet të gjitha format e dhunës ndaj grave, përfshirë martesën e detyruar, ngacmimin seksual dhe dhunën seksuale”, rekomandojnë ekspertët.

Raporti vëren se legjislacioni shqiptar mund të përmirësohet edhe më tej në aspektin e dhunës në familje, për shembull duke dhënë urdhra kufizues dhe mbrojtës për të gjitha viktimat e çdo lloj dhune, jo vetëm asaj fizike.

Ekspertët gjithashtu i kërkuan autoriteteve të cilësojnë arsyet gjinore të cilat shtynë në dhunë ndaj grave, jo vetëm ta trajtojnë atë si dhunë në familje.

Mekanizmat ekzistues të cilat lidhen me mungesën e zbatimit të urdhrave të mbrojtjes, vendimet e papërshtatshme nga sistemi i gjykatave dhe përfshirja e pamjaftueshme nga profesionistët e shëndetësisë dhe ekspertët mjekoligjorë cilësohen si sfida për vendin tonë.

Vetëm disa ditë më parë (23 nëntor), njëgrua në moshë të mesme u vra me thikë nga bashkëshorti i saj në fshatin Karpen në Kavajë, ku media raporti se shkak ishte gjaknxehtësia. Viktima më e fundit në Kavajë nuk është e vetmja. Gjatë viteve të fundit, dhjetëra gra shqiptare janë masakruar në mënyrëçnjerëzore nga bashkëshortët e tyre.

Në fillim të shtatorit, pas vrasjes së paralajmëruar të gjyqtares Fildeze Hafizit nga ish-bashkëshorti i saj, qindra aktivistë dolën në rrugët e kryeqytetit për të kërkuar më shumë mbrojtje për gratë, ndërsa tërhoqën vëmendjen te viktimat e dhunës në familje.

Në përgjigjen e tyre të gjatë, autoritetet shqiptare konfirmojnë rëndësinë e zbatimit të Konventës së Stambollit dhe cilësojnë Strategjinë Kombëtare për Barazi Gjinore 2016-2020 dhe Planin e Veprimit të saj si mjet bashkëkohor për të arritur mbrojtjen e grave.

Megjithatë, autoritetet në Shqipëri ia lënë të ardhmes garantimin e sigurisë së grave nga dhuna në familje duke thënë se “vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zbatimit konkret të aktiviteteve të planifikuara [nga Strategjia Kombëtare] për të zgjidhur siç duhet të gjitha format e dhunës ndaj grave.

Në mënyrë që t’i bindet angazhimeve të marra përsipër nga nënshkrimi i Konventës së Stambollit, Shqipëria duhet të marrë parasysh rekomandimet e raportit GREVIO.

Marrë nga reporter.al

28 Nëntor 2017 - 10:16

Ivana Dervishi, BIRN Titanë 28/11/2017 - 10:16
NDËRVEPRIMI5