Rrahman Jasharaj - Foto: KALLXO.com

Jasharaj: Nuk Dolëm në Grevë për Rritje të Pagave

Mësimdhënësit e Kosovës pas kërkesës së Sindikatës së tyre javën e fundit kanë filluar të mbajnë greva të shtrira në të gjithë vendin. Ata po kërkojnë realizimin e kërkesave për të cilat i konsiderojnë borxhlinj institucionet.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë (SBASHK) ka të listuar një varg kërkesash dhe pakënaqësish që sipas tyre mund të çojnë në veprime radikale në ditët në vazhdim.

Kryetari i SBAShK-ut, Rraman Jasharaj, i cili është në ditët e fundit të mandatit të tij, në një intervistë për KALLXO.com ka shtjelluar  problemet që i drejtohen kësaj Sindikate nga punëtorët e arsimit dhe që në javën e fundit i nxorën nga orët mësimore për një grevë njëorëshe dhe një tjetër dyorëshe.

Jasharaj tha se kërkesën bazike që kjo Sindikatë e ka dhe që i çoi ata në grevë ka të bëjë me miratimin e një ligji që u njeh status të veçantë punëtorëve të arsimit në vitet ’90, kur në Kosovë u zhvillua proces mësimor paralel.

Ky projektligj, i filluar në vitin 2013, parasheh një pension të veçantë për mësimdhënësit e viteve të 90-ta që do të jetë 75 për qind e pagës bazike të mësimdhënësit.

“Ajo që më së shumti na detyroi të marrim veprime sindikale është fati i pazgjidhur i Ligjit për statutin i punëtorëve të arsimit për vitet e 90-ta. Ne kishim pritur se Ligji për ato vite do të kalojë shumë shpejt. Ja që nga viti 2013 erdhëm në vitin 2018, ligji arriti në Qeveri por atje ka ngecur”, tha Jasharaj.

Lidhur me këto greva, Kryeministri i Kosovës, të martën ftoi në takim të mbyllur për media përfaqësuesit e SBAShK nga ku doli duke kërkuar kohë për realizimin e këtyre kërkesave.

Megjithatë Jasharaj thotë se nuk është i sigurt se sa kohë do të japë Kongresi i SBAShK që mblidhet këtë të shtunë për të zgjedhur kryetarin e ri të Sindikatës.

“Ne ia bëmë me dije kryeministrit dhe ministrave se gjendja si është tani e sidomos fati i Ligjit për statusin e mësimdhënësve të viteve të 90-ta dhe kam frikë se kongresi pavarësisht kush zgjidhet në këtë gjendje që jemi sot mund të obligojë kryetarin që të shkojë në greva me afat të pacaktuar deri në realizim e kërkesave”, tha Jasharaj.

Megjithatë, statusi i mësimdhënësve të viteve 90-ta nuk është halli i vetëm i kësaj sindikate.

Një revoltë e mësimdhënësve kishte filluar edhe me vendimin e qeverisë për rritje të pagave për 4.6 përqind që ata e kishin quajtur skandaloze.

Revolta e tyre ishte përkeqësuar në kohën kur kryeministri i Kosovës që injoroi kërcënimet për grevë të kësaj sindikate, ia rriti pagën vetes dhe qeverisë për afro 100 përqind.

“Ne në SBAShK jemi marrë vesh pasi që jemi pjesë e BSPK-së që çështjen e pagave ta ngrisim në nivel të BSPKS-së që tërë federata të merremi vesh se çfarë do të veprojmë. A do të kënaqemi me këtë 4 përqind apo jo… Ne e kishim një mesazh të caktuar kur thamë katër përqind  rritje por katër përqind të pagës së kryeministrit”, tha Jasharaj.

Në anën tjetër, një kërkesë tjetër që sipas Jasharajt mund të shkaktojë valë të re të grevave është mosrespektimi i Kontratës Kolektive të nënshkruar mes SBASHK dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nga ana e Komunave të Kosovës.

“Mund të them se një pjesë e kërkesave tona që po na bëjnë shpeshherë që të alarmojmë për greva por madje edhe të fillojmë me greva janë që dalin nga kontrata kolektive e sektorit të arsimit… kanë të bëjnë me ato pika që i ka për obligim niveli lokal i qeverisjes… dhe kontrata i obligon komunat që të paguajnë tri paga pas pensionimit dhe të rregullojë çështjen e udhëtimit… Ne i mblodhëm lëndët e të pensionuarve dhe i dërguam në gjykatë.. kudo që po mbahen seancat ne po I fitojmë rastet”, përfundoi ai.

Në kongresin e radhës së SBAShK , i nominuar për kryetar të SBAShK-ut është edhe Rrahman Jasharaj karshi kandidatëve të tjerë.