Ilustrim

IPKO Ende pa Thirrje nga Kodi +383

Megjithëse sipas Telekomit të Kosovës, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka dhënë autorizimin për fillimin e përdorimit të kodit të ri, thirrje të tilla momentalisht nuk mund të realizohen nga numrat e operatorit IPKO.

I pyetur nga KALLXO.com se pse nuk ka filluar funksionalizimi i kodit të ri telefonik nga IPKO, Alban Kastrati nga Zyra për Informim e këtij operatori, nuk ka dhënë arsye të qarta.

“IPKO ka filluar të punojë për kalimin në kodin e ri shtetëror +383, ndërsa aktualisht është në pritje të planit të implementimit nga ana e ARKEP. Ne do të jemi në kohë me zbatimin e këtij plani, sipas afateve që do të përcaktohen nga ana e rregullatorit” , tha Kastrati.

Ai gjithashtu nuk është përgjigjur se kur zyrtarisht do të fillojnë thirrjet me kodin e ri në numrat  e këtij operatori telefonik.

Telekomi i Kosovës sot ka bërë demonstrimin e thirrjeve nga kodi +383 në operatorin telefonik “Vala”, duke sinjalizuar fillimin e fazës së tranzicionit që do të zgjasë 18 muaj.

Kjo periudhë është afati për largimin e të gjithë kodeve të tjera që deri më tani janë përdorur në Kosovë.

http://kallxo.com/fillojne-thirrjet-kodin-e-kosoves-383/

Megjithë demonstrimin e sotshëm, KALLXO.com ka gjetur se thirrjet me kodin +383 tani për tani mund të realizohen vetëm brenda Kosovës.

Telekomi i Kosovës deklaron se ende priten të bëhen marrëveshjet me operatorët e jashtëm telefonikë për t’u mundësuar thirrjet ndërkombëtare në kodin e ri.

http://kallxo.com/kodi-383-pa-aplikueshem-ne-thirrjet-nderkombetare/