Hoxhaj e Lidh Deklaratën për Demarkacionin me Ditën e Pavarësisë

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj e mirëpriti deklaratën për demarkacionin mes presidentëve të Kosovës e Malit të Zi

“Festa e pavarësisë merr kuptim tjetër sot pas lajmit për nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanović për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit”, shkroi Hoxhaj në facebook.

Ai më tutje konstatoi se qytetarëve të Kosovës u është mohuar pa të drejtë lëvizja pa viza.

“Një e drejtë e mohuar për të gjithë qytetarët e vendit që prej tre vitesh po rikthehet për t’i hapur rrugë lëvizjes tonë pa viza në Evropë gjatë këtij viti”, vijoi postimi i Hoxhajt.

Ai falënderoi zyrtarët e Malit të Zi për dakordimin rreth çështjes së demarkacionit.

“I lumtur dhe falënderues që u dakorduam së bashku me miqtë tanë malazezë këto ditët e fundit për nënshkrimin e kësaj deklarate e cila do t’i hapë rrugë Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin dhe ta mbyllim këtë temë sa më herët”, shkroi Hoxhaj.

Në një konferencë për gazetarë sot Presidenti Hashim Thaçi njoftoi se ka nënshkruar një deklaratë me homologun e tij nga Mali i Zi Filip Vujanoviq, e cila lejon korrigjimet e mundshme në vijën kufitare mes dy vendeve.