Salla e Kuvendit të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Grupet Parlamentare pa Konsensus, Seanca Shtyhet

Takimi mes kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe shefave të grupeve parlamentare nuk ka sjellë konsensus për të vazhduar seanca parlamentare e cila u ndërpre për shkak të bojkotimit të opozitës pasi që nuk u votua për rekomandimet të cilat kërkonin të anulohet Vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave.

Me të përfunduar ky takim, kryeparlamentari Veseli bëri të ditur se seanca parlamentare do të vazhdoj ditën e mërkurë.

“Në rrethanat në të cilat jemi vazhdimi i seancës do të jetë ditën e nesërme me pikat e njëjta”, tha Veseli.

Gjatë seancës së sotme ishte paraparë të diskutohej edhe për Raportin e 100 ditëve të punës së Qeverisë së Kosovës kërkesë kjo e nënkryetarit të Kuvendit Kujtim Shala dhe gjashtë deputetëve nënshkrues. Po ashtu ishte paraparë edhe shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Akreditimit dhe votimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016. Të gjitha këto pika të rendit të ditës do të diskutohen në seancën e së mërkurës.