Gjykimi për grabitjen e taksistit - Foto: KALLXO.com

Gjykata shpalli vendimin ndaj të akuzuarve për grabitjen e taksistit

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka shpallur aktgjykimin në rastin e të akuzuarve Sami dhe Fehmi Parduzi.

Paraprakisht, në seancën e mbajtur në këtë Gjykatë e kanë dhënë fjalën përfundimtare prokurori i rastit Ismet Ujkani si dhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Avdi Dinaj dhe Xhelal Hasani.

Prokurori në fjalën e tij përfundimtare ka thëne se nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, provat në shkresat e lëndës si dhe deklaratat e dëshmitarëve, pa dyshim do të vërtetohet se të akuzuarit Sami dhe Fehmi Parduzi kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, duke kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtorë sipas ligjit.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Fehmi Parduzi, avokati Avdi Dinaj ka kërkuar nga Gjykata që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm sepse gjatë shqyrtimit gjyqësor në asnjë rast nuk është vërtetuar se kush kanë qenë dy personat që kanë sulmuar taksistin.

Gjithashtu edhe avokati Xhelal Hasani, mbrojtës i të akuzuarit Sami Parduzi në fjalën e tij përfundimtare të cilën e dorëzoi me shkrim kërkoi lirimin nga akuza për të mbrojturin e tij, pasi që sipas tij nuk është vërtetuar se i njëjti është përfshirë në kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohej.

Ndërsa me rastin e shpalljes së aktgjykimit nga ana e gjyqtarit Avni Mehmeti të pandehurit u liruan në tërësi nga akuza.

Lidhur me këtë Mehmeti tha se ky aktgjykim është marrë bazuar në nenin 364 par. 1 dhe par. 1.3 ka konsideruar se nuk ka prova të mjaftueshme të cilat e vërtetojnë se të pandehurit e kanë kryer këtë vepër penale.

Ndryshe dy të lartcekurit akuzohen nga Prokuroria e atëhershme e Qarkut se në qershor të vitit 2010 në fshatin Kovaqicë – Mitrovicë duke vepruar në grup së bashku me të miturin T.P. pas marrëveshjes paraprake kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit – radio taksi “Caci”, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Fehmi dhe Sami Parduzi kishin telefonuar te radio taksi “Caci” vozitësin Bahri Gashi dhe i kishin thënë që të shkonte për ta marrë një fëmijë të sëmurë, duke i thënë të ndalonte te vendi ku ishin të prera disa dru dhe se aty ishte një rojtar.

Ndërsa i mituri T.P. e kishte luajtur rolin e pylltarit duke i thënë vozitësit Bahri Gashi se “tani do të vijë ai që të ka thirrë, sepse e ka shtëpinë më larg”.

Pastaj vozitësi Gashi e kishte parkuar veturën dhe duke pritur ishin paraqitur dy të pandehurit të maskuar dhe me drunj në dorë.

I pandehuri Fehmi Parduzi e ka sulmuar taksistin Bahri Gashi duke e goditur në trup ndërsa i pandehuri tjetër Sami Parduzi kinse po e sulmon rojtarin e druve të miturin T.P. siç ishin marrë vesh më herët, me ç’rast vozitësit Bahri Gashi i kishin marrë 30 euro dhe tre telefona mobilë në vlerë prej 100 euro, që kanë qenë pronë e radio taksit ‘Caci’, pastaj e kishin urdhëruar që të largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, sipas aktakuzës së Prokurorisë, ata kanë kryer veprën penale grabitje.