Vendimet Kundërthënëse të MTI-së ndaj Udhëheqësit të Divizionit të Naftës

Një akuzë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ndaj punëtorit për “shpenzim të mjeteve të buxhetit pa bazë ligjore” është ngritur dhe ka rënë poshtë me vendime të brendshme të MTI-së pa përfshirjen e organeve të drejtësisë. Kjo akuzë është marrë bazë për ndërrimin e pozitës së zyrtarit Visar Bajraktari brendapërbrenda ministrisë.

Një raport anonim në KALLXO.com ka ngritur dyshimet se MTI ka ndërmarrë veprime të dyshimta për largimin nga puna të një zyrtari të saj që pastaj kanë rezultuar të jenë akuza të paqëndrueshme.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim për largim nga puna të zyrtarit të saj nën dyshimet se ka bërë tejkalim të kompetencës dhe autoritetit zyrtar, ndërkaq ky vendim është hedhur poshtë nga Komisioni për Ankesa i po kësaj ministrie.

Visar Bajraktari, udhëheqës i Divizionit për Rregullimin e Tregut të Naftës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë me datën 24.10.2016, pranoi një vendim nga Komisioni Disiplinor i kësaj Ministrie që parasheh largimin e tij nga zyra ku punon për t’u transferuar “në një lokacion tjetër me detyra të ngjashme”.

Arsyetimi i këtij vendimi është se Bajraktari ka bërë shpenzimin e një shume të mjeteve pa bazë ligjore dhe ka tejkaluar kompetencat e  detyrës së tij zyrtare.

“Vendimi është marrë bazuar në faktin që z. Bajraktari ka shpenzuar një shumë të mjeteve nga buxheti i DRRTN-së [Divizionit për Rregullimin e Tregut të Naftës në Ministrinë e Tregtisë] pa bazë ligjore nga kategoria për testime dhe demonstrime. Bazuar në provat materiale të cilat i kemi marrë nga Departamenti i Financave dhe opinioni i zyrës ligjore, Bajraktari ka bërë tejkalim të kompetencës dhe autoritetit zyrtar”, thuhet në vendim e MTI-së për ndërrim të pozitës për Bajraktarin.

Tutje ky vendim arsyetohet duke u bazuar në një  udhëzim administrativ mbi kompetencat e Zyrës së Licencimit për të kontrolluar subjektet e licencuara.

“Po ashtu duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr.07/20110 neni 23.1 Zyra e Licencimit mundet në bashkëpunim me inspektoratin, të ushtrojë kontroll te subjektet e licencuara. Neni 23.3-subjektet e licencuara kanë për detyrë që t’i ofrojnë Zyrës për Licencim çdo dokument apo informatë që ka të bëjë me veprimtarinë për të cilën është lëshuar licenca”, thuhet më tej në vendim e MTI-së.

Kundër këtij vendimi ishte ankuar Bajraktari. Shkalla e parë e shqyrtimit të ankesave të shërbyesve civilë është komisioni për zgjedhjen e kontesteve dhe ankesave brenda ministrisë.

Vendimi i Komisioni Disiplinor është anuluar nga Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave, i cili më datën 21.11.2016 vendosi që rastin e Bajraktarit të kthejë në rishqyrtim te komisioni disiplinor.

Gazeta JnK e ka siguruar vendimin e Komisionit për Zgjidhje të Kontesteve dhe Ankesave. Në vendim shihet se ka pasur negociata në mes të palëve për pajtim.

“Duke u bazuar në nenin 6 të Rregullores Nr.05/2011 për Procedurën e Zgjedhjes së Kontesteve, Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave fillimisht u mundua të zgjidhë kontestin duke i ftuar të dy palët në seancën e mbajtur më datën 15.11.2016 për arritjen e kompromisit. Megjithatë aktpajtimi nuk u arrit”, thuhet në vendimin e këtij komisioni.

Ndërkaq shfuqizimi i vendimit të Komisionit Disiplinor mbështetet në pretendimet  se ai vendim  nuk ka administruar prova bazuar në legjislacionin në fuqi dhe nuk është arsyetuar si duhet.

“Vendimi i Komisionit Disiplinor, veçanërisht arsyetimi i vendimit, nuk është në pajtim me nenin 86, paragrafi 3 të Ligjit për Procedurën Administrative, citoj ‘arsyetimi me të dhëna të paqarta, kontradiktore ose të pasakta është i barasvlefshëm me mungesë të arsyetimit’, për shkak se në arsyetim të vendimit të datës 24.10.2016 të Komisionit Disiplinor ceken shkresat e Departamentit Ligjor dhe Divizionit të Financave”, është arsyetimi i vendimit të Komisionit për Ankesa.

Gazeta Jeta në Kosovë bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike ka kërkuar qasje në komplet dosjen e Komisionit Disiplinor, duke marrë parasysh edhe faktet në të cilat është mbështetur vendimi i këtij komisioni. Në këtë kërkesë, Gazeta JnK ka pranuar vetëm vendimin e këtij komisioni, i cili nuk i ka të bashkëngjitura edhe faktet që tregojnë se Bajraktari ka bërë tejkalim të kompetencës.

MTI-nuk u është përgjigjur pyetjeve shtesë që kanë të bëjnë me shumën e mjeteve të shpenzuara nga Bajraktari për të cilën është akuzuar Bajraktari.

Përveç kësaj, Gazeta JnK ka provuar të intervistojë Visar Bajraktarin i cili megjithëse i gatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve ka thënë se për këtë duhet të merret leje fillimisht nga ministria.

Gazeta JnK ka kërkuar një leje të tillë nga ministria dhe brenda afateve ligjore nuk ka pranuar përgjigje me shkrim për  këtë kërkesë.