Të Vdekurit që Bashkojnë të Gjallët

Ka disa vjet që në këtë vend të vret e vërteta. Të vret edhe kur sheh përkujtimin e përvjetorëve, edhe atë të një burri hero që ra në luftë. Të vret kur sheh “burrat e fuqishëm” të përkujtojnë vlerat për të cilat edhe ata dikur luftuan, por që diku e dikah e humbën rrugën.

Të vdekurit i bëjnë bashkë të gjallët. Por të vdekurit në fund të fundit, të vdekur janë, edhe pse dinë t’ua kallin shpirtin disa të gjallëve.

Burrat me kostume ishin ulur rend e rend, të rregulluar vijë më vijë, derisa po e kujtonin e nderonin mikun e dikurshëm të luftës, Agim Ramadanin. Një portret i madh në sfond i artistit e patriotit, i cili dikur shkruante në vargje se, kur të kthehem, asgjë nuk do të jetë si më parë

Sa do të jem i vetes
Nuk e di
Qentë e lagjes
Në mua do vërsulen
S’do të më njohë askush
Njerëz tjerë do të jenë
Njerëz të gjakut tim
Kur të kthehen
Edhe Unë do të jem ndoshta
Një jetë tjetër.

Ai nuk u kthye, por të tjerë po. I vdekur dhe me disa vargje atdhedashurie mbase mund t’i mbledhë “burrat e fuqishëm” për ta përkujtuar. Ai nuk u kthye, por të tjerë u kthyen nga shtabet, dhe tashmë u ka edhe hije të jenë “milionerët e shtabeve”. Kaq thjesht dhe kaq bukur.

Burrat e fuqishëm me kostume të shtrenjta e përkujtojnë për lirinë. Sa mirë për ata që s’u kthyen, sepse zemra do t’u ishte nda përgjysmë dhe poezitë për “qentë që lehin në diell” do i kishin marrë akoma më shumë kuptim.

Sa mirë për ata që s’u kthyen, sepse e vërteta e sotme do t’i kishte vra. Sepse ka disa vjet që në këtë vend të vret e vërteta. Të vret kur e sheh se ata që e drejtojnë vendin, e vjedhin atë. I vjedhin edhe kodrat e malet e tij, edhe copën e hises së të tjerëve. I vjedhin edhe njerëzit, sepse për çdo gjë mund të bëhet pazar i ndyrë.

Të vret e vërteta se jo pak prej tyre ose kanë qenë ose janë të përfshirë në punë të pista. Sepse jo pak prej tyre thonë se kanë qenë edhe vrasës – vrasës, por ama njerëz të mirë. Kësisoj, e vërteta është shndërruar në një “breshëri vdekjeprurëse”, sepse shpura e fuqisë e ka zaptuar hapësirën, e ka zaptuar fuqinë, e ka zaptuar një copë të diellit dhe nuk i lë të tjerët të marrin frymë.

Ka disa vjet që jemi bërë një shoqëri ku ka vetëm “burra të fuqishëm”, dhe të gjithë këta burra janë në një e në një tjetër mënyrë të njëllojtë.

Figura luftëtarësh, figurash historike, edhe figura heronjsh kombëtarë e deri te “heronj” të tjerë të vërtetë ose të falsifikuar apo te metamorfizuar, janë shndërruar në kufoma pazaresh politike e kombëtare, dhe për hesap të atyre, që rëndom kanë telashe identiteti e telashe personaliteti.

Në një sallë në kryeqendër “burrat e fuqishëm” e kujtonin Agim Ramadanin e në një sallë disa burra e kujtuan “heroin” e rënë nga vakti. Megjithatë, në këtë të pame në një ditë, dyfytyrësia më e madhe është e burrave në kryeqytet se ajo e odës së burrave në Ferizaj, tek kujtojnë ish-diktatorin e shqiptarëve.

Në kohët e fundit kemi dëgjuar të flitet shumë për ish-luftëtarë, për ish-komunistë, për ish-patriotë e mercenarë, për ish-vrasës armiq që na vizitojnë përditë, për ish-varfanjakë sot milionerë, kemi dëgjuar të flitet për gjithçka në këto kohë dhe për atë se si punën e kemi në zgrip. Retë e zeza vijnë e shkojnë e ne jemi bërë me “veshë në krahë” se prej nga po vijnë ato.

Cila është fatkeqësia më e madhe në këtë mes? – pyet dikush…

Diktatura dhe dashuria nuk shkojnë bashkë, siç nuk shkojnë as dashuria e Agimit apo çmenduria e Enverit, pos që në një edicion lajmesh emrat mund t’ua përmendin një pas një. As kultura dhe hajnia nuk shkojnë bashkë, por çuditërisht ato po bashkëjetojnë për bukuri. Dashuria është e njeriut, por ikën përmbi të!

Miqtë e armiqtë le të flasin e le të bërtasin se Kosova është e politikanëve milionerë, se Kosova është Serbi, se është e këtij dhe e atij, por për të gjithë, mund të ketë një përgjigje që një poet shumë më i madh se Agim Ramadani, e kish lënë dikur si testament për grabitqarët e huaj: “Tokë me nda nuk kam, Hasmi në të samës”!