Rolin Kryesor në Veri e ka Prishtina

Derisa KFOR’i  e NATO, BE’ja e EULEX’i janë duke u kacafytur me Serbinë dhe me udhëheqësit e institucioneve ilegale paralele në veri të Kosovës, Prishtina ka mbetur e heshtur dhe pothuajse tërësisht “jashtë loje” në këto zhvillime. Edhe pse bëhet fjalë për territorin e Kosovës, lidershipi politik i Kosovës është reduktuar në rolin e një vëzhguesi të zhvillimeve atje, duke pritur që të tjerët të përfundojnë punën për të.

Zhvillimet në veri dhe zgjidhja për pjesën veriore të Kosovës janë shumë të rëndësishme për Kosovën. Nëse Kosova kthehet në një Bosnjë të dytë, atëherë rrezikon të kthehet në një shtet jofunksional çfarë nuk e dëshirojnë qytetarët e saj por sigurisht as përkrahësit e shtetësisë së Kosovës në skenën ndërkombëtare. Prandaj, Kosova duhet të angazhohet maksimalisht për çështjen e veriut, që nënkupton se Prishtina do të tregojë vizion, të dalë me një propozim për një zgjidhje afatgjate të cilën do ta përkrahnin të gjithë ata që janë për stabilitet në rajon.

Deri tash Prishtina ka bërë fare pak për problemin e veriut të Kosovës. Cinikët mund të thonë se Prishtina nuk ka bërë aspak më shumë se Shkurte Fejza ose këngëtarët tjerë që këndojnë se nuk do të ndahet Mitrovica. Para dy vitesh Prishtina ka prezantuar një dokument, strategji, për veriun që në të vërtetë ishte përpiluar në ICO dhe me inkurajimin e ambasadorit më të fuqishëm në Prishtinë. Prishtina e pat prezantuar këtë dokument si të sajën dhe si zgjidhje për veriun. Dokumenti ka mundur vërtet të paraqesë një pikënisje për të ndryshuar për të mirë gjendjen në veri, por Prishtina ka bërë shumë pak përpjekje për këtë. Përveç se ka emëruar një person përgjegjës për Strategjinë për Veriun, liderët në Prishtinë gati se nuk kanë bërë asgjë tjetër. Ylber Hysa, që ishte caktuar Koordinator për Strategjinë për Veri kishte marrë detyrën me disa ide se si të ndryshohen gjërat në veri të Kosovës, por i kishte munguar përkrahja e Prishtinës në angazhimin e tij. Kështu, gati të gjitha iniciativat dhe projektet që i ka nisur z. Hysa në veri ende nuk janë realizuar. Duket se qeveritarët në Prishtinë kanë menduar se me emërimin e z.Hysa në veri puna e tyre ka përfunduar.  Për shkak të korrektësisë, të përkujtojmë se për veriun e Kosovës as qeveritë tjera nuk kanë bërë më shumë se kjo e udhëhequr nga PDK’ja.

Pra, çfarë duhet të bëjë Prishtina? Në fillim të këtij muaji një sinjal shumë i qartë erdhi nga Brukseli, që kërkoi që Prishtina të ofrojë një propozim “gjithëpërfshirës” për veriun, pa sqaruar më tepër se çfarë do të thotë kjo. Këtu shumë qartë kërkohet nga Prishtina që të zgjohet dhe të përpilojë një strategji të mirëfilltë për veriun me të cilën do të tregojë se si do të zgjidhë këtë problem. Më saktësisht, të tregojë se si do të shtrijë prezencën e saj në veri, si do të bindë serbët e Kosovës që jetojnë në këtë pjesë të vendit që të pranojnë institucionet e kosovare, çfarë do të bëjë me “strukturat paralele” që ofrojnë shërbime për qytetarët në veri si shkollat, spitalet, “Universitetin e Prishtinës” e ngjashëm  – a do t’i “transferojë” këto institucione ashtu siç janë nga ombrella e Serbisë nën ombrellën e Kosovës apo do t’i shuajë krejtësisht dhe të krijojë një vakum institucional deri sa të krijohen institucionet e reja të Kosovës? Përgjigjen në këto pyetje dhe të tjerat të ngjashme duhet ta japë Prishtina e jo ndonjë ambasadë, institucion ndërkombëtar në Prishtinë ose gjetkë.  Këtë qartë bashkësia ndërkombëtare edhe po e pret prej Prishtinës.  Brukseli nuk kërkoi as autonomi e as “Ahtisaari Plus”, por një dokument serioz. Propozimi gjithëpërfshirës i Ahtisaarit ende është zgjidhje. Nëse ka qenë zgjidhje e pranueshme për dy të tretat e Serbëve që jetojnë në Kosovë, nuk ka pse të mos jetë i pranueshëm edhe për një të tretën tjetër që jeton në veri të Kosovës.

Udhëheqësit politikë në Kosovë duhet të mësojnë nga përvojat e të tjerëve, sidomos nga gabimet e tyre dhe gabimet e politikanëve në Serbi mund të shërbejnë mirë për këtë. Serbia e ka humbur Kosovën jo për shkak të ndonjë konspiracioni të Perëndimit kundër saj, por për shkak se udhëheqësit politikë në Beograd në vazhdimësi patën dështuar që t’i prezantojnë bashkësisë ndërkombëtare një vizion se si do të akomodohej Kosova dhe banorët e saj në Serbi ashtu që të garantohet stabiliteti afatgjatë i rajonit. Prishtina nuk duhet të bëjë këtë gabim. Udhëheqësit politikë të Kosovës duhet që të marrin iniciativën për zgjidhjen e problemit për veriun dhe të dalin me një propozim gjithëpërfshirës, që do të prekte të gjitha problemet e të gjitha palëve në veri, dhe që do të garantonte stabilitetin afatgjatë në veri, në Kosovë dhe në rajon.