Pse Frika dhe Pasiguria Kanë Mbërthyer Maqedoninë Përsëri?

Frika dhe pasiguria janë në rritje në Maqedoni. Përsëri. Më pak se tre javë para zgjedhjeve lokale në vend, dhuna etnike ka shpërthyer. Sërish! 

Pas krizës politike dy muaj të gjatë, një marrëveshje për të siguruar që të gjitha anët marrin pjesë në zgjedhje u arrit me presion të madh nga BE-ja. Por, marrëveshja u parapri nga një seri ngjarjesh që ilustruan se demokracia në vend është sëmurur rëndë.

Kriza filloi kur deputetët e opozitës dhe gazetarët u nxorën nga salla plenare e parlamentit dhe partia qeverisëse votoi buxhetin e vitit 2013 vetë më 24 dhjetor të vitit të shkuar. Njerëzit u rrahën nga policia përballë parlamentit. 

Lideri i opozitës, Branko Crvenkosvski, ish-president, ishte një nga ata që u goditën me shkop. Një grup tjetër doli në rrugë për të protestuar kundër protestuesve. Imazhet e njerëzve kundër njerëzve janë bërë imazhe të shpeshta në këtë vend, në vitet e fundit. 

Partia qeverisëse VMRO-DPMNE ka marrë kontroll të mediave, duke nxitur gjuhë urrejtjeje, promovim të supremacisë nacionaliste dhe mashkullore, dhe fajësimin e të gjitha fajeve opozitës dhe veçanërisht liderit të saj, Crvenkovskit. 

Partitë opozitare maqedonase refuzuan të marrin pjesë në seancat parlamentare pas ngjarjeve të 24 dhjetorit dhe bënë thirrje për bojkot të zgjedhjeve lokale të këtij muaji. Seancat e “parlamentit të popullit” u mbajtën në rrugë, në tërë vendin.

Marrëveshja që u bë nga ndërmjetësit e BE-së përfshiu kthimin e opozitës në parlament, pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, formimin e një komisioni për ngjarjet e 24 dhjetorit dhe bisedimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Klauzola e fundit u vu në një gjuhë diplomatike të paqartë, që i lejoi të dyja anët të thonë se kanë fituar politikisht, dhe partia qeverisëse që thotë se  zgjedhjet e parakohshme nuk ishin caktuar se opozita që tha se nuk do të mbahen më 28 shtator. Politikat e zakonshme në Maqedoni. 

Ndërkohë, kryeministri Nikola Gruevski bëri një risistemim të vogël të qeverisë, duke emëruar ish-komandantin shqiptar, Talat Xhaferi, si ministër të Mbrojtjes, që nxiti reagime të zhurmshme nga nacionalistët që këmbëngulën se një ish-oficer i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, UÇK, nuk mund të jetë shefi i mbrojtjes së vendit. 

Pothuajse 12 vjet pas luftës etnike gjashtëmujore në Maqedoni dhe Marrëveshja e Ohrit që përfshiu amnistinë për ushtarët e UÇK-së; pasi Xhaferi punoi si zëvendësministër i Mbrojtjes, menjëherë pas luftës dhe u bë anëtar për një kohë të gjatë në Parlament, emërimi i tij më i fundit ishte problem i madh. 

Pritej. Lidershipi i vendit ka praktikuar politika tepër nacionaliste për një numër vitesh, duke nxitur nacionalizëm militant përmes politikave. Qindra milionë euro janë hedhur në projekte dhe propaganda që kanë ushqyer shovinizëm nacionalist dhe diskriminim. Pa dyshim, nuk mund të kishte pasur reagim tjetër. 

Një grup prej rreth 100 huliganësh, maqedonas, protestuan në mënyrë të dhunshme kundër emërimit të Xhaferit një javë më parë, më 1 mars. Pas përplasjeve me policinë, filluan të shkatërronin në rrugë, duke sulmuar shqiptarë etnikë, përfshirë gra dhe fëmijë. 

Komisioneri i BE-së për zgjerim, Stefan Fuele, ishte ndoshta ende duke fluturuar kur filluan trazirat, në fluturimin nga Maqedonia pasi ndërmjetësoi në kompromis mes opozitës dhe partisë qeverisëse.

Përgjigja erdhi të shtunën. Rreth një mijë shqiptarë, përfshirë huliganët e tyre, protestuan në mënyrë të dhunshme. Më shumë dhunë dhe më shumë polici… dhe më shumë viktima dhune. Për fat të mirë, asnjë i vdekur ende. 

Një mik dhe koleg nga një organizatë për paqe më telefonoi mbrëmë, në ankth për të më shpjeguar se kundërprotestat e shqiptarëve javën e shkuar nuk ishin për të mbrojtur pozitën e ministrit të ri të mbrojtjes, por për “të protestuar kundër inatit të fashistëve maqedonase”, siç e quajti ai. 

Nuk kisha asnjë përgjigje përveç ta ftoja për të menduar për arsye jo të dhunshme ndaj dhunës. Premtoi se do ta bënte këtë, por tha se hidhërimi dhe revoltimi janë dërrmuese. Numri i raporteve të dhunës dhe shantazheve ndaj maqedonasve po rritet gjithashtu. 

Në këtë kontekst të këtij vendi, kriza politike në mënyrë të pashmangshme çon në tensione etnike, dhe kompleton figurën e një shoqërie të trazuar në të cilat partitë politike kanë marrë peng institucionet dhe kanë zvogëluar demokracinë. Të drejtat dhe liritë e njeriut, përfshirë lirinë e fjalës dhe mediat, shkelen rëndë çdo ditë. 

Në ditët e sotme, një kundërshtar politik, në vend që të jetë bashkëbisedues është bërë armik i egër dhe i paepur, më shumë se kurrë më parë.

Si ka mundësi që marrëdhëniet ndëretnike gjithmonë vuajnë më shumë? Marrëdhëniet ndëretnike janë dëmtuar në mënyrë serioze për vite. Për më tepër, kjo është bërë në një mënyrë sistematike nga ata që mund ta kishin parandaluar.

Problemet që kanë dalë nga pakënaqësia me politikat e pamjaftueshme zakonisht zgjidhen duke nxitur urrejtje dhe tensione kryesisht mes dy komuniteteve më të mëdha në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve.

Është mëngjes i të enjtes, ora 9:30. Zyra gumëzhin si zgjua bletësh nga kolegët e mi të mrekullueshëm. Pas disa orëve, do të jemi në Rrugën Maqedonia, para monumentit Nënë Terezës, për të marrë pjesë në një eveniment të quajtur “Press4Peace”, që organizohet nga organizata ime dhe 15 të tjera. 

Kjo do të ndodhë para protestave të tjera të shqiptarëve pas lutjes së të premtes. Kemi dëgjuar edhe për planet e grupeve maqedonase për të dalë në protesta gjithashtu të shtunën. Çmenduria është larg nga fundi. Tragjedia varet në ajër, ndërsa elitat bëjnë gati kthetrat për të marrë fitimet e  pista, të përgjakura.

Xhabir Deralla është aktivist i të drejtave të njeriut dhe kryetar i Qendrës Qytetare për Liri në Shkup.