Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Mjekët Përshkruajnë me Ryshfet

Mjekët shfrytëzojnë shëndetin e pacientëve për të përshkruar barna për interesin e vetë. Kompanitë farmaceutike zbatojnë forma të ndryshme stimulimi për ata mjekë që u sugjerojnë nevojtarëve barnat e tyre. ‘Depeshet’ e një agjenti nga rajoni i Prizrenit shpërfaqin marrëdhënie të zgjeruara ndërmjet mjekëve dhe kompanisë “Ogechi Health”.

Pushime në bregdet, mbulesa për seminare, dreka, iftarë, pajisje mjekësore, para të gatshme e madje edhe fletore e lapsa kimikë, janë ‘dhuratat’ që kompanitë farmaceutike u japin mjekëve kosovarë të cilët, në shkëmbim, u përshkruajnë barnat e tyre pacientëve në nevojë.

NDËRLIDHUR

Kjo mundësi përfitimi lehtësohet nga fakti se në praktikë barnat shumicën e rasteve nuk përshkruhen me emrin gjenerik, por me atë të prodhuesve. Dhe sa më shumë që mjeku dokumenton në kompani se ka shitur barna të saj, aq më të mëdha janë përfitimet e tij.

Gjerësia e kësaj dukurie ekspozohet në dy e-mailë të farmacistit Amir Dishallari, agjent kosovar nga rajoni i Prizrenit për kompaninë greke “Ogechi Health”, që i drejtoheshin menaxhmentit të kompanisë në Prishtinë dhe që i ka siguruar Jeta në Kosovë. Dishallari u raporton eprorëve të tij për punën që ka bërë në terren – për takimet dhe marrëveshjet që ka realizuar. Letrat sjellin dëshmi se mjekë të Qendrave të Mjekësisë Familjare (QMF) në Prizren si dhe nga spitali i qytetit përfitojnë nga përshkrimi i barnave të kompanisë greke.

Në njërin e-mail të agjentit Dishallari thuhet: “Dr. Nazmije Martinaj dhe Dr. Vjosa Braha shprehen se po përshkruajnë barnat tona. Kjo është shumë e vërtetë sepse isha aty në zyrë dhe sot kishin shkruar “Neo Septol’ kundër barkçitjes, pasi kishin pasur disa raste”.

Dy mjeket, Nazmije Martinaj dhe Vjosa Braha, punojnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren. Braha, përmendet edhe në fund të njërit e-mail të Dishallarit, ku ai shkruan se “…kishte qenë mirë që premtimeve të dhëna disa mjekëve t’u përmbahemi, e sidomos Vjosa Brahës”.

Derisa doktor Nazmije Martinaj as nuk pranon të flasë për ato që thuhen në lidhje me të në e-mailin e Dishallarit, kolegia e saj Vjosa Braha thotë se ajo nuk përshkruan vetëm barna të “Ogechi Health” dhe mohon se ka ndonjë marrëveshje me kompaninë në fjalë.
 
“Secili mundet të përmendë emrin tim, por unë jam shumë e sigurt në vete për punën që e bëj dhe barnat që shkruaj. Mua askush nuk mundet të më ndalojë çfarë barnash të përshkruaj”.
 
Ajo nuk shkruan barnat me emrin gjenerik, me arsyetimin se “asnjë mjek në krejt Kosovën nuk shkruan ashtu”.

I ‘infektuar’ edhe sektori privat 

Përshkrimi i barnave sipas kërkesave të kompanive farmaceutike nuk është dukuri vetëm në spitalet publike. Edhe në sektorin privat shëndetësor, përshkrimi i barnave nga ana e mjekëve bëhet sipas marrëveshjeve që ata kanë me kompanitë.

Nijazi Eminoviqi, specialist i otorinolaringologjisë, është njëri nga mjekët që e ka braktisur tash e sa vjet sektorin publik shëndetësor. Ai thotë se parregullsitë në institucionet publike shëndetësore kanë bërë që pas tri dekadash përvojë të ‘shqelmojë’ punën e shtetit për të punuar vetëm në ordinancën e tij private.

Por, duket se as në sektorin privat ky doktor nuk ka çuar ndonjë shembull më të mirë. Ndonëse ai thotë se nuk shkruan për kompanitë, edhe emri i tij gjendet në e-mailat e Dishallarit. “Kompani ka sa të duash, janë diku 50, dhe ai bari që mua më përgjigjet si specialist unë do ta përshkruaj, qoftë ai ilaç turk, gjerman ose i çfarëdo shteti tjetër”, thotë Eminoviq, me një shqipe të përzier me boshnjakisht
 
Muri i ordinancës së tij ishte vërshuar me posterë të kompanive farmaceutike. Por, ai nuk mbante aty vetëm fotot e “Ogechi Health” sado që doktori e pranon se nga kjo kompani shkruan tek ndonjë pacient barin “Ciprospekt”.

Eminoviq thotë se ai është sovran të vendosë se cilin ilaç do t’ia përshkruajë pacientit. “Kjo është dëshira ime si mjek, askush nuk mund të më ndalojë”, thotë Eminoviq, për të cilin agjenti Dishallari shkruan se është duke përshkruar barnat e “Ogechi Health” dhe në shkëmbim kërkon të mbështetet nga kompania.
 
U shtruan iftare për përshkrimet

E-maili i dytë vë në ‘thumb’ emra tjerë mjekësh. Gjersa përshkruan një ditë tjetër të lodhshme pune me kolegun e tij nga rajoni i Prizrenit, agjenti i kompanisë greke, tregon se ka qenë në QMF në Arbanë (ish-Dushanovë), ku ka takuar mjekë shumë përkrahës.

Dr. Arta Hoxha dhe Dr.Gjelbrime Koqinaj janë dy mjeke të këtij punkti ambulantor për të cilat Dishallari në ‘depeshet’ e tij thotë se përshkruajnë barnat greke.

Doktoresha Hoxha thotë se kompanitë në saje të ‘angazhimit’ të mjekëve për përshkrim të barnave, i dërgojnë ata nëpër organizime të ndryshme. “Për shembull së fundi iftare janë shtruar…”, ka treguar ajo.

Por, Hoxha sado që ka marrë premtime nga “Ogechi Health” se do të shkoj në Greqi, ende nuk e ka realizuar këtë. “Ogechi Health tash i ka dërguar mjekët në Greqi për pushime…, qe një vit edhe mua më kanë thanë do të çojmë, po pastaj erdhi puna, thanë gjysmën e mjekëve i kanë reduktuar”.

Ajo, megjithatë, thotë se asnjëherë nuk u ka përshkruar barna pacientëve me qëllim që të shkojë në pushime ndonëse nuk përdorë emrat gjenerikë, por të kompanive. “Edhe unë kam thënë se duhet t’i shkruajmë barnat me emra gjenerikë… Por, unë me ia nisë me i ndryshu a?! S’po e ndryshojnë specialistët 50 vjeç…”.

Nëse do të përdoreshin emrat gjenerikë, pacienti do të shkonte në barnatore dhe farmacisti do t’ia ofronte barin e cilitdo prodhues, por me substancë të njëjtë.

E Dishallari përshkruan se nga Arbana sërish është kthyer në QKMF në Prizren ku është takuar me dy internistët Refki Selaj dhe Raman Bajramin. Bajrami nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje, kurse Selaj e ironizon atë që ka thënë Dishallari.
“Mua më kanë ofruar banesë…”, thotë ky doktor dhe qeshet me ironi, duke kërkuar që të lihet kjo punë. “Qe çka kanë ofruar, lapsa kanë ofruar…”, thotë ai, gjersa tregon një laps në dorën e tij të djathtë.

Por, Selaj, sikurse edhe kolegu i tij Raman Bajrami, sipas e-mailit, zakonisht përshkruajnë barnat greke “Malortin” dhe “Vital Q 10”.

Dishallari, gjithnjë në e-mailin e tij, thotë se edhe mjekët Bajram Kryeziu, Nail Emini e Fadil Bajraktari nga QKMF e Prizrenit, përshkruajnë barnat e kësaj kompanie. Edhe këta mjekë, kanë përgjigje të ngjashme me ato të kolegëve.
“Unë zgjedh barin që më pëlqen, që është më i efektshëm, e a është i Dalipit a i Hasanit, a i kujt është s’ka rëndësi…”, shprehet Fadil Bajraktari.

Menaxherët nuk ndërmarrin masa

Ndonëse për këtë dukuri është biseduar shpesh në borde të ndryshme të QKMF’së dhe drejtoratit të shëndetësisë në Prizren, drejtori Mehmedali Gashi thotë se deri më tash kanë dhënë vetëm vërejtje kolegiale, e jo edhe ndonjë masë ndëshkuese.

“Këto informata i kam dëgjuar dhe i kam marrë jozyrtarisht. Marrëveshje të tilla bëhen edhe në shtete të tjera. Nëse bëhen për zhvillim të vazhdueshëm profesional, atëherë edhe nëse ai mjek ia përshkruan barin e asaj kompanie, nuk është dëm i madh dhe shkelje etike”, justifikon drejtori Gashi. “Megjithëse kolegialisht kam tërhequr vërejtjen”.

Përballë kësaj butësie të menxhmentit, Rexhep Hapçiu, Ferid Susuri dhe Mujadin Trinjaku janë specialistë tjerë të Spitalit Rajonal të Prizrenit, që i përmend Dishallari si përshkrues të barnave të ‘Ogechi Health’.

Hapçiu ka problem të rrëfejë nëse kjo kompani i ka ofruar ose jo diçka. Një herë tha se ‘Ogechi Health’ i ka premtuar pushime në Halkidiki, kurse më vonë tha se kishte marrë zotime vetëm për seminare ose simpoziume.

Ferid Susuri pranon se ka takuar Dishallarin, por përjashton mundësinë që të ketë bërë ndonjë marrëveshje të kësaj natyre.

Mujadin Trinjaku, specialist i dermatologjisë, kishte marrë pjesë në një seminar në Greqi më herët këtë vit me mbulesën e kompanisë “Ogechi Health”. “Isha i befasuar kur më thirrën dhe thanë eja se të kemi përzgjedhur të shkosh në një seminar në Greqi për trajnim”, Trinjaku i tha Jetës në Kosovë.

Megjithatë, ftesa duket më pak befasuese kur ai pranon se u përshkruan pacientëve barna të kësaj kompanie. Edhe Trinjaku insiston se ai u sugjeron pacientëve edhe barna të kompanive tjera. Por, ai nuk pranoi të jepte asnjë detaj tjetër në lidhje me seminarin, llojet e barnave dhe raportet tjera me kompaninë në fjalë. 

Tutje, Dishallari përmend internistin e spitalit të Prizrenit, Sharr Vezgishtin, të cilit thotë se gjatë një takimi ia ka dorëzuar barin e quajtur “Plavidosen”.
“I erdhi shumë mirë dhe i thashë, doktor ne premtimet i mbajmë, tash mbetet tek ju. Ai menjëherë më dha sinjale pozitive se do t’i përshkruaj disa preparate kardiologjie e sidomos Plavidosen”, thuhet në e-mailin e Dishallarit.

Vesgishti mohon kategorikisht të dhënat e e-mailit. Ai thotë se askush nuk mund të gjejë asnjë recetë ku ai do të ketë shënuar një bari të kompanisë “Ogechi…”. Megjithatë, Vesgishti pranon se e njeh dhe se e ka takuar agjentin Dishallari, por shprehet se asnjëherë nuk e ka takuar për këto qëllime.

Myzafer Kalenderi, drejtor i spitalit në Prizren, thotë se e- mailat e Dishallarit përmbajnë biseda të korridoreve. Sado që aty decidivisht shkruan se takimet janë zhvilluar në spital, Kalenderi thotë se në ata e-mailë nuk sqarohet mirë nëse barnat e kompanisë përshkruhen në spital apo në ordinancat private të këtyre mjekëve. 

Kompania hesht, inspektorati premton hetime
 
Amir Dishallari, agjenti prizrenas i kompanisë greke “Ogechi Health”, nuk ka pranuar të flasë me asnjë kusht për ato që ka shkruar. As në “Ogechi Health” nuk kanë pranuar të takohen për intervistë. Megjithatë, Burim Hyseni, njëri nga menaxherët e kompanisë në Kosovë, ka dërguar një përgjigje përgjithësuese përmes e-mailit ku sqaron se aktivitetet e marketingut të kësaj kompanie janë të përqendruara në trajnimin dhe zhvillimin e mjekëve dhe farmacistëve në lidhje me produktet e “Ogechi Health”.

Aktivitetet, siç shpjegon Hyseni, bëhen përmes seminareve dhe udhëtimeve edukative brenda dhe jashtë Kosovës. Ai thotë se këto lloje të aktiviteteve janë të zakonshme për të gjitha kompanitë farmaceutike, kudo në botë.

E në anën tjetër, në Inspektoratin Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, thonë se kanë dhënë disa dënime për të ndaluar këtë veprimtari.
Advie Mala, u.d. e kryeinspektores shëndetësore të Kosovës thotë se Ligji për Shëndetësi ndalon përshkrimin e barnave me emrin farmaceutik pasi bari duhet të përshkruhet me emrin gjenerik.

Ky ligj decidivisht thotë se ‘barnat në çdo nivel të kujdesit shëndetësor duhet të përshkruhen me emërtime ndërkombëtare të pambrojtura’.

Mala, premton se do të merren seriozisht me mjekët të cilët përshkruajnë barna të kompanive, dhe se për dy javë, pasi ta trajtojnë si rast me prioritet, do të japin edhe sqarime publike rreth masave që janë ndërmarrë në këtë drejtim.

ETIKETA

21 Shtator 2011 - 7:39 pm

Alban Selimi 21/09/2011 - 7:39 pm
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0