Ilustrimi: Trembelat

‘Lufta’ e Pasluftës së Fatmir Limajt me Gjykatat

Fatmir Limaj që nga paslufta kaloi nëpër shumë procese gjyqësore në të cilat asnjëherë deri tash nuk u shpall fajtor.

Njëri nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili me të hyrë në politikën e pasluftës së Kosovës arriti të bëhej ndër më të votuarit dhe njëri nga njerëzit kryesorë të Partisë Demokratike të Kosovës, gjysmën e rreth 19 vjetëve të pasluftës i kaloi në procese gjyqësore.

Ish-komandant “Çeliku” u gjykua për krime të luftës nga Gjykata e Hagës dhe gjykatat në Kosovë dhe për korrupsion nga EULEX-i, u gjykua po ashtu nga Prokuroria Speciale e Kosovës, por  në fund arriti që të shpallej i pafajshëm në të gjitha këto procese gjyqësore.

Limaj,  nga çlirimi i Kosovës e deri më sot, i kaloi 3 vjet të jetës së tij i përfshirë  në procesin e Hagës për krime të luftës, rreth 8 vjet i kushtoi procesi hetimor e gjykimi për kohën sa ishte ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit, rreth katër vjet ishte i përfshirë  në rastin e njohur si “Kleçka” ndërsa në rastin e fundit i njohur si “Bellanica”, nga koha e ngritjes së aktakuzës e deri në shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, Limaj i kaloi rreth dy vjet i përfshirë në këtë proces gjyqësor.

Në të gjitha këto procese maratonike gjyqësore, disa me vendim të formës së prerë e disa ende të vendosura nga vetëm shkalla e parë, Limaj është shpallur i pafajshëm.

Trembelat

Akuzat për Krime të Luftës mbi “Çelikun”

Përvoja e parë e Limajt me gjykatat, filloi në vitin 2003. Në këtë vit, Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi me seli në Hagë të Holandës, ndaj Limajt së bashku me Haradin Balajn dhe Isak Musliun filloi gjykimin në të cilin ish komandant “Çeliku” dhe të akuzuarit e tjerë ngarkoheshin për krime të luftës ndaj popullsisë civile.

Në një proces ku u dëgjuan rreth 50 dëshmitarë të mbrojtjes dhe të prokurorisë, Limaj u gjet i pafajshëm dhe u lirua nga akuzat.

Pafajësia e Limajt në Hagë u rikonfirmua  edhe në vitin 2007 në një proces të rigjykuar nga Tribunali i Hagës që e ndiqte për krime lufte të kryera në Llapushnik të Drenasit. Pasi doli sërish i pafajshëm ai iu rikthye politikës, duke u kthyer triumfalisht në Kosovë.

Megjithatë, pushimi i Limajt nga proceset gjyqësore nuk zgjati shumë, në verën e vitit 2011, Limaj dhe nëntë ish-pjesëtarë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës që siç pretendonte prokurori supozohet të ishin kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të atij viti në një qendër të improvizuar paraburgimi të UÇK-së që sipas aktakuzës ndodhej në fshatin Kleçkë të Kosovës.

Zbutja e Çelikut

Lidhur me këtë rast epilogu i gjykatës u dha në shtator të vitit 2013, Limaj dhe të gjithë të tjerët u shpallëm të pafajshëm në akuzat e Prokurorisë së EULEX-it.

Ky aktgjykim pas një odiseade nëpër gjykatat e Kosovës përfundimisht u vendos nga Gjykata Supreme e Kosovës e cila në maj të vitit të kaluar i vulosi pafajësinë Limajt.

Gjykata Supreme Vërteton Pafajësinë e Fatmir Limajt

Megjithatë, ky nuk ishte rasti i fundit në të cilin ish-komandant “Çeliku” po paraqitej në bankën e të akuzuarve lidhur me krime të luftës.

Në tetor të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Fatmir Limajt lidhur me rastin e njohur si “Bellanica”.

Sipas aktakuzës, rasti kishte të bënte  me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, të cilët me datën 2 tetor 1998 ishin marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe ishin ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

“Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se, si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar, apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë për ngritjen e aktakuzës.

Në një proces që zgjati rreth dy vjet, në gjykim u dëgjuan disa nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Gjakovës, prokuroria nuk arriti të ofrojë prova të mjaftueshme për fajësinë e Limajt.

Vendimi i Gjykatës për Fatmir Limajn në Rastin ‘Bellanica’

Aktakuza për korrupsion si ministër

Ndonëse kaloi nëpër procese të gjata të gjykimeve për krime të luftës, një gjykim i një natyre tjetër juridike e detyroi Limajn të paraqitet më shpesh në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“MTPT”, u bë sinonim i rastit ku Limaj dhe disa të tjerë akuzoheshin për kohën sa kishte qenë ministër i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit lidhur me disa tenderë për mirëmbajtjen e rrugëve në rajonin e Gjilanit.

Në një proces të paprecedent juridik që zgjati rreth 2700 ditë, ku aktakuza mori trajta të ndryshme nga MTPT 1 në MTPT 2 e pastaj në aktakuzën e konsoliduar,  u dëgjuan dhjetëra dëshmitarë,  u ndërruan disa prokurorë e gjyqtarë, por prokuroria nuk arriti që me provat e ofruara dhe të administruara në gjykatë të vërtetojë se Limaj dhe të akuzuarit e tjerë kishin kryer krim të organizuar lidhur me veprën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare si vepër kryesore e kësaj aktakuze.

KALLXO.com lidhur me këtë rast ka raportuar në të gjithë fazat e procesit.

Gjykata Vendosi për Rastin e Fatmir Limajt

Krahas këtyre proceseve gjyqësore nga të cilat Limaj doli i pafajshëm, ndryshime drastike pësoi edhe karriera e tij politike.

Limaj tanimë nuk është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, ai udhëheq një parti  tjetër, Nismën SocialDemokrate dhe aktualisht është zëvendëskryeministër i vendit.

10 Mars 2018 - 15:17

Labinot Leposhtica 10/03/2018 - 15:17
NDËRVEPRIMI7
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend