Gratë e Dy Këshilltarëve të Ministrit Gjejnë Punë në Ministrinë e Punës

Gratë e dy këshilltarëve politikë të ministrit Arban Abrashi janë angazhuar si eksperte në kuadër të një projekti të Ministrisë së Punë dhe Mirëqenies Sociale dhe BE-së.

Në listën e emrave të ekspertëve të angazhuar në projektin “Strategjia Sektoriale për Punësim dhe Mirëqenie Sociale”, veç të resë së kryeministrit figurojnë edhe Ardiana Gashi dhe Vlora Jashanica.

Ardiana Gashi është gruaja e Selatin Kllokoqit, ndërsa Vlora Jashanica është gruaja e Fatmir Haxhollit.

Kllokoqi e Haxholli janë këshilltarë politikë të ministrit të MPSM-së, Arban Abrashi.

I pyetur nga “Gazeta Jeta në Kosovë” nëse e konsideron konflikt interesi angazhimin e gruas në këtë projekt, këshilltari Kllokoqi thotë që ky nuk është as projekti i parë e as i dyti në të cilin gruaja e tij angazhohet.

“Gruaja jem është eksperte qe 10 vjet”, tha Kllokoqi.

Ai tha se gruaja është angazhuar direkt nga kompania që e udhëheq projektin e BE-së.

“Nuk ka të bëjë ajo me Ministrinë e Punës, e ka angazhu firma. Ekspertët e jashtëm nuk i ka angazhuar Ministria, por i ka angazhuar kompania”, tha ai.

Selatin Kllokoqit nga e majta e ministrit Arban Abrashi. Fatmir Haxhollit është mbrapa Abrashit nga e djathta.

Ndërsa i pyetur se për cilën kompani e ka fjalën, ai thotë “po kqyrne ju atje se tybe s’e di”.

Kjo është në kundërshtim me atë që e ka thënë sekretari kësaj Ministrie kur ka folur për punësimin e resë së kryeministrit.

“Janë të angazhuar përmes projektit dhe Ministrisë së bashku”, kishte thënë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Izedin Bytyçi.

Gazeta ka kontaktuar edhe me këshilltarin tjetër të ministrit Arban Abrashi, Fatmir Haxhollin.

Ai fillimisht tha se nuk e di nëse gruaja e tij ka nënshkruar kontratë për të ndihmuar ministrin në bërjen e strategjisë. Por, më pas shpjegon që ajo është angazhuar në një komponentë në të cilën ka punuar edhe më parë, dialogun social.

“Janë edhe disa ekspertë tjerë, merri emrat, merri CV-të e tyre, interesohuni mirë qysh e kush i ka angazhu. Ky është projekt i BE-së, nuk mundet me marr debilla n’punë”, tha ai.

Me të njëjtin ton, Haxholli ka vazhduar të mbrojë angazhimin e gruas së tij.

“Këdo që e ka marr qaj projekt, nuk mundet me i marr njerëz që nuk kanë CV të mirë, sepse ekspertët duhet me u aprovu në BE, nuk aprovohen në Ministri”, tha Haxholli.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MPMS-së CV-të e ekspertëve të angazhuar në këtë projekt, por edhe pas tri ditësh nuk ka marrë përgjigje.

Ditë më parë, gazeta raportoi edhe për angazhimin e Edita Bajramit, e reja e kryeministrit Isa Mustafa në këtë projekt.

Reja e Kryeministrit Mustafa Merr Punë në Ministri të Arban Abrashit

Redaksia e “Gazetës Jeta në Kosovë“ e ka pranuar një reagim zonja Vlora Jashanica, të cilin e publikon të plotë dhe pa asnjë ndërhyrje.

Reagim ndaj shkrimit tuaj, publikuar nga gazetarja Erjonë Popova në portalin tuaj KALLXO.com.

  1. Së pari me duhet demantuar titullin e shkrimit tuaj, meqë unë nuk jam e punësuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe as që kam qenë ndonjëherë.
  2. Kemi bashkëpunuar me Projektin KEEN, respektivisht jemi dakorduar që të bëjë përgaditjen e pjesës për Dialogun Social dhe Punës, me një angazhim 12 ditorë dhe asgjë më tepër dhe 12 dit punë nuk konsiderohen punësim në projekt, por angazhim për shërbime konsulence, ndërkaq pagesa për këto shërbime vie nga burimet e fondeve të Bashkimit Evropian dhe jo nga Institucionet Vendore;
  3. Për t’u angazhuar si ekspert duhet pasur përvojën relevante që kërkohet nga Bashkimi Evropian, si kriter kryesorë angazhimi, kriter ky të cilin e kam plotësuar qysh në vitin 2006, kur isha e angazhuar në projektin ACE –menaxhuar nga AER dhe financuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si Eksperte e Kartës Evropiane (NVM), periudhë kjo kur burri im nuk ishte kyqyr politikisht;
  4. Derisa në shkrimin tuaj specifikohet se nuk janë dhënë CV-të, mua askush nuk me ka kontaktuar për të kërkuar CV-në time të cilën mund ta gjeni bashkangjitur në këtë letër;
  5. Përvoja e punës sime daton qysh prej Dhjetorit të vitit 2000, e tutje me mbi 10 vite përvojë pune në organizatat ndërkombëtare në projektet e financuara nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore, AER etj. e të gjitha këto në funksion të përkrahjes së Institucioneve në Kosovë.

Ju lutem keni parasysh këto të dhëna, në mënyrë që informimi për opinionin të jetë korrekt dhe jo të ketë keqkuptime apo analogji të cilat lënë të përceptohet situata ndryshe ngaqë është.

Ju faleminderit!

Vlora Jashanica

Sqarimi i Redaksisë:

“Gazeta Jeta në Kosovë“ në asnjë vend nuk ka thënë se Vlora Jashanicaështë punësuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por ka raportuar se ka gjetur punë. Është fakt qëJashanicaështë angazhuar si eksperte në kuadër të një projekti të Ministrisë së Punë dhe Mirëqenies Sociale dhe BE-së.

Gazeta e ka kërkuar CV-në zyrtarisht nga Ministria e Punës (dhe ashtu është e shkruar edhe në tekst) dhe jo nga Jashanica.

Sa i përket angazhimit paraprak në projekte të ndryshme dhe profesionalizimit të Jashanicës, Gazeta nuk i ka kontestuar në tekst, por vetëm kemi raportuar për angazhimin e saj në një projekt të BE-së dhe Ministrisë së Punës.