Jelena Terzin, një banore e qytezës serbe Kikinda, mbush një gotë me ujë të verdhë. Foto: Nenad Mihajlovic

Çezmat Helmuese: Arseniku në Ujë Shkakton Frikë për Kancer

Ata gjithmonë e dinin se kishte diçka të pakëndshme me ujin.

Në Komletinci, një fshat në Kroacinë lindore fare pranë kufirit me Serbinë, uji del nga rubineti me pak erë amoniaku. Ngjyra varion nga e verdhë e zbehtë te e kafta e kuqërremtë. Ai shijon si ndryshk.

Sido që i pakëndshëm, pak njerëz dyshonin për sigurinë e tij. Për 28 vjet, që nga ndërtimi i një impianti vendor për të furnizuar shtëpitë me ujë nëntokësor të trajtuar, fshatarët kanë mbyllur hundët kur e pinin atë.

Por kjo filloi të ndryshojë më 2014 pasi një inxhinier i teknologjisë së informacionit me emrin Mirko Matijasevic u përball me një analizë të kampionëve të ujit në faqen e internetit të kompanisë publike të ujësjellësit të rajonit në qytezën fqinje të Vinkovcit.

Rezultatet e analizave tregonin nivel arseniku 13 herë më të lartë se sa limiti ligjor.

Matijasevic, 55, nuk e dinte në atë kohë se arseniku në ujëra nëntokësore është një element i provuar si kancerogjen, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH. Njerëzit që ekspozohen ndaj tij përgjatë shumë viteve kanë probabilitet më të lartë në zhvillimin e kancereve të lëkurës, të mushkërive dhe të rrugëve urinare, tregojnë studime të shumta.

Por ai pati lexuar mjaftueshëm romane me mistere dhe vrasje për të ditur se arseniku është lëndë helmuese.

“Mendoj se paraja është arsyeja se pse qeveria vendore nuk po flet për këtë analizë, për shkak se ky ujë është i papërshtatshëm për t’u pirë dhe nuk duhet të shitet me çmime të tilla ‘Zagrebi’ [çmime të larta,” shkroi ai në blogun e tij mbi ndodhitë ditore në Komletinci, ku një koncert me muzikë popullore dhe mandolinë zakonisht klasifikohet si ngjarje e madhe.

Ai ngarkoi në blogun e tij një foto të fletës së analizës dhe shtypi “Publiko”.

Reagimet në postimin e tij në një fshat me 1,600 banorë fillimisht ishin refuzuese, rikujton Matijasevic.

“Kompania e ujësjellësit në Vinkovci është vendi ku partia në pushtet [Bashkimi Demokratik i Kroacisë] punëson njerëzit e vet, kështu që çdo artikull negativ konsiderohet një sulm kundër tyre,” tha ai. “Dhe kur ti sulmon partinë në pushtet, ti nuk konsiderohesh qytetar i mirë.”

Por zbulimi i Matijasevic i bëri disa njerëz të mendonin. Mirjam Beslic, një 28 vjeçare nënë e dy fëmijëve, udhëtoi 280 kilometra për në Zagreb për të analizuar një kampion 12 centimetra të gjatë të flokëve të saj në Institutin e Kërkimit Mjekësor dhe Shëndetit Profesional.

Testet treguan nivel arseniku tri herë më të lartë se sa sasia normale për një grua të rritur.

“Unë nuk kam pasur probleme deri tani, por mjeku më tha se kam qenë e ekspozuar për një kohë të gjatë dhe rreziku që të sëmurem me kancer është më i lartë për mua,” tha ajo.

Kur autoritetet vendore në fund shpallën se uji i Komletincit është i papërshtatshëm për t’u pirë prillin e kaluar, pasi media vendore raportoi ngjarjen, ankthi u kthye në zemërim.

“Do të ndjek penalisht të gjithë ish-drejtorët e ujësjellësit dhe ish-kryebashkiakët,” deklaroi Ivan Miljak, një kamarier në pension 60 vjeçar i cili po mbante radhë bashkë me banorët e tjerë të fshatit për të mbushur shishe plastike me ujë nga një cisternë e vënë në dispozicion nga bashkia pranë sheshit kryesor.

“Ata të gjithë e dinin dhe e mbajtën sekret për t’i shërbyer interesave të veta. Unë them se ne duhet të përjashtohemi nga pagesa e faturës së ujit për 28 vitet e ardhshme. I gjithë fshati duhet të dorëzojë kallëzim penal për dëmtimin e shëndetit tonë.”

Një banor nga Komletinci mbush shishe plastike nga një cisternë pranë sheshit kryesor. Foto: Aleksandar Latas

Majin e kaluar, Josip Saric, një anëtar i bordit të drejtorëve në kompaninë e ujësjellësit të zonës mes viteve 1997 dhe 2007, fitoi një mandat të katërt si kryebashkiak në bashkinë Otok, ku bën pjesë edhe Komletinci.

Zyra e tij nuk iu përgjigj pyetjeve me email se prej sa kohësh bashkia e ka ditur praninë e niveleve të tepërta të arsenikut dhe se çfarë po bën për të pastruar rrjetin. Askush nuk ishte i disponueshëm për t’u përgjigjur as nga kompania e ujësjellësit.

Komletinci është vetëm një nga shumë bashkësi në këtë cep të Ballkanit ku rubinetët rrjedhin ujë të mbushur me arsenik përtej limiteve ligjore, zbulon një investigim i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative.

Rreth 923 mijë njerëz janë të ekspozuar ndaj ujit kancerogjen nga rrjetet publike nëpër ultësirën e stërmadhe që shtrihet në Kroacinë lindore, Serbinë e veriut dhe Hungarinë e jugut, tregon investigimi.

Mijëra të tjerë në Rumaninë perëndimore mund të jenë gjithashtu të rrezikuar për shkak të ujit që pinë nga puset e tyre.

Të katërta vendet kanë nivele arseniku të lejuara deri në 10 mikrogramë për litër, µg/L. Ky është limiti i rekomanduar nga OBSH, vendosur si ligj nga BE dhe adaptuar nga shumë vende jo-anëtare të BE-së, përfshirë Serbinë.

Por BIRN zbuloi dhjetëra qytete, qyteza dhe fshatra ku nivelet e arsenikut e kapërcejnë me tepri këtë limit, pavarësisht angazhimeve kombëtare për të pastruar furnizimet me ujë. Analizat në një qytezë serbe, Novi Becej, tregonin nivel arseniku 27 herë më të lartë se sa limiti ligjor.

Provinca autonome serbe e Vojvodinës ka problemin më të rëndë, me më shumë se 630 mijë banorë që furnizohen me ujë kancerogjen në rubinetë.

Rreth 173 mijë njerëz në Kroaci dhe 100 mijë në Hungari janë të ekspozuar ndaj pranisë së arsenikut mbi limitin ligjor.

Nga neglizhenca për informimin e bashkësive të rrezikuara te mosshfrytëzimi i mundësive për të rregulluar furnizimin me ujë, investigimi nxjerr zbuluar dështimin e autoriteteve për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të plotësuar objektivat Europiane në ekonomitë ku uji i sigurt është ende një luks.

Krizë në Vojvodinë

Pesë milionë vite më parë, një det i cekët mbulonte zonën e njohur si Baseni i Panonisë, që shtrihej mbi një pjesë të shteteve të sotme të Kroacisë, Serbisë, Hungarisë dhe Rumanisë. Në kohën kur ky det u tha, ai kishte depozituar sedimente disa kilometra të trasha.

Sot, bashkësitë në të gjithë këtë basen e marrin ujin e pijshëm nga vrima të shpuara thellë në këtë sediment, i cili është i pasur me arsenik inorganik i krijuar nga dekompozimi i mineraleve dhe xeherorëve.

Ndryshe nga arseniku organik, shpesh i gjendur te peshqit, kërkimet tregojnë se varianti inorganik akumulohet në trup dhe me kalimin e kohës mund të jetë vdekjeprurës.

Dekada të tëra me studime mbi ekspozimin ndaj arsenikut në ujin e pijshëm në të gjithë botën kanë zbuluar lidhje mes tij dhe kancerëve të prostatës, të veshkës, të mëlçisë dhe të mushkërive. Toksikologët thonë se ajo dëmton gjithashtu edhe sistemin kardiovaskular.

‘Natyrisht njerëzit duhet të shqetësohen, për shkak se arseniku ka efekte afatgjata’

  • Toksikologu i Greenpeace Gergely Simon

Nuk ekziston ndonjë studim specifik mbi atë se si arseniku ka prekur shëndetin në provincën e Vojvodinës në Serbi, një pjesë e vendit që gjendet në Basenin Panonian që ndodhet në veri të Lumit Danub. Po kështu nuk ka studime as për Kroacinë lindore.

Por një studim i vitit 2012 në Hungari, Rumani dhe Sllovaki, kryer nën programin e BE-së Vlerësimi për Rrezikun Shëndetësor të Arsenikut dhe Epidemiologjisë Molekulare, udhëhequr nga Shkolla e Londrës mbi Higjienën dhe Mjekësinë Tropikale, gjeti prova të forta të lidhjes mes ekspozimit afatgjatë në nivel të ulët ndaj arsenikut në ujin e pijshëm dhe Carcinomës të qelizave Basale, forma më e përhapur e kancerit në lëkurë.

Kjo ishte e vërtetë edhe për nivele relativisht pak të larta mbi limitin ligjor 10 µg/L.

Media vendore në Hungari ka raportuar që nga ajo kohë se 300 vdekje në vend çdo vit të lidhur me ekspozimin afatgjatë me ujin e pijshëm me arsenik. Raportet cituan kërkime nga Shërbimi Kombëtar për Shëndet Publik dhe Mjekësor të Hungarisë, ANTSZ.

Martha Varga, drejtoreshë e departamentit të ujit në Institutin e Shëndetit Publik, i cili është pjesë e ANTSZ, refuzoi të konfirmojë këtë shifër. Por Gergely Simon, një toksikolog në grupin mjedisor Greenpeace në Budapest, tha se kjo është një arsye për alarm.

“Natyrisht njerëzit duhet të shqetësohen, për shkak se arseniku ka efekt afatgjatë,” i tha ai BIRN. “Dukshëm, shumë vdekje do të vijojnë të ndodhin për shkak të ekspozimit ndaj arsenikut.”

Në Serbi, BIRN identifikoi nivele të arsenikut më të larta se sa 10 µg/L në të gjithë provincën e Vojvodinës, duke përdorur të dhëna të siguruara përmes 41 kërkesave për të drejtë informimi te kompanitë vendëse të ujit dhe zyrat e shëndetit publik. Të dhënat u mblodhën mes janarit dhe tetorit 2017.

Investigimi zbuloi se 95 qytete, qyteza dhe fshatra në Vojvodinë – me një popullsi totale prej 630 mijë banorësh – janë në zonën e rrezikut. Ato të gjithë shërbehen nga impiante ujësjellësish që nuk e kanë teknologjinë për të filtruar arsenikun nga uji nëntokësor.

Uji është i sigurt për t’u pirë në Novi Sad, kryeqytet i Vojvodinës dhe qyteti i dytë më i madh në Serbi. Por qyteti qendror Zrenjamin, me popullsi 77 mijë, është mes zonave më të ndotura, ku arseniku gjendej në nivelin deri në 194 µg/L përgjatë vitit të kaluar.

Subotica, një qytet me 106 mijë banorë pranë kufirit me Hungarinë, ka nivele deri në 99 µg/L në disa zona, megjithëse zyra vendore e shëndetit publik thotë se 80 për qind e banorëve kanë ujë të pastër falë një impianti purifikimi të ndërtuar më 1991.

Inspektorati provincial i Vojvodinës për sigurinë e ujit nuk iu përgjigj pyetjeve mbi atë se cilat autoritete kanë ndaluar apo jo pirjen e ujit.

Rezultatet më alarmuese gjenden në qytezën qendrore të Novi Becej në Vojvodinë, ku 13 mijë njerëz janë të ekspozuar ndaj ujit me nivel arseniku deri më 273 µg/L.

Megjithëse kjo është më shumë se 27 herë mbi limitin ligjor, autoritetet nuk kanë urdhëruar ndalesë në pirjen e ujit të çezmës.

“Uji është shpallur ‘ujë teknik’ dhjetë vjet më parë,” tha kryebashkiaku Sasa Maksimovic, duke nënkuptuar se ai është i përshtatshëm vetëm për përdorim industrial.

Por pak banorë të intervistuar nga BIRN e dinin se ishte e rrezikshme që të pihej ky ujë ndërsa faqja e internetit e kompanisë vendëse të ujësjellësit, Komunalac, nuk përmend asnjë rrezik. Komunalacnuk iu përgjigj pyetjeve.

“Shumica e njerëzve, me siguri 80 për qind, pinë ujë rubineti dhe kjo do të vijojë deri sa një deklaratë zyrtare të ndalojë konsumimin e tij,” tha Nevena Subotic, anëtar i opozitës në parlamentin e Novi Becej.

Nemanja Vaskovic, pronar i një bari dhe restoranti në brigjet e lumit Tisa në Novi Becej, blen ujë me shishe për familjen e tij, por vetëm për shkak se ai urren ngjyrën e verdhë dhe erën e keqe të ujit të rubinetit. Disa banorë e përshkruajnë atë si “ujë i ndenjur”.

“Unë nuk e di se sa i lartë është niveli i arsenikut, por di se uji është i keq,” tha Vaskovic.

Ai vlerëson se paguan së paku 30 euro në muaj për ujë me shishe. Paga mesatare neto mujore në Novi Becej vitin e kaluar ishte rreth 283 euro, sipas Departamentit të Statistikave të Serbisë.

“Besoj se 75 për qind e njerëzve në Novi Becej nuk mund ta përballojnë ujin me shishe,” tha Vaskovic.

Një gotë me ujë të pastër bën kontrast të fortë me ujin e verdhë të rubinetit në qytezën serbe të Kikindës. Foto: Nenad Mihajlovic

Infrasktrukturë në rrënim e sipër

Rrjeti i vjetruar i ujësjellësit i shton shqetësimet për ujin në Novi Becej.

Sipas kryebashkiakut Maksimovic, 60 për qind e tubave të qytetit përbëhen  nga asbesti, një kancerogjen tjetër i njohur. Ndërkohë, tubat janë kaq të vjetër sa qyteti humbet deri në 40 për qind të ujit nga të çarat, tha ai.

“Autoritetet vendore janë duke u përpjekur të gjejnë zgjidhje, port ani për tani nuk kemi kapacitetet për të ndërtuar një impiant purifikimi dhe prioriteti ynë për momentin është rindërtimi i tubacioneve,” tha ai për BIRN në gusht.

Maksimovic vlerësoi se tubat e reja mund të kushtojnë dy deri në tre milionë euro.

Në shkurt 2018, Novi Becej mori një grant prej 967 mijë eurosh nga qeveria provinciale e Vojvodinës, Drejtoria për Investime Kapitale, me synimin e fillimit të ndërtimit të një impianti purifikimi. Maksimovic i tha medias vendëse se tre fazat e para të ndërtimit do të përfundojnë nga pranvera e vitit 2019, megjithëse ai nuk tha se kur do të përfundohet tërësisht impianti.

Pranë kufirit me Rumaninë në Vojvodinën perëndimore, qyteti i Kikindës është magnet për turistët në dimër. Ata vijnë për të fotografuar bufët veshë-gjatë që kanë foletë në pemë vidhi dhe pishe që gjenden në anë të bulevardeve të gjera të Kikindës.

Shumë prej tyre tronditen kur shohin ujin e rubinetit.

“Uji është i errët dhe mban era mut dhe amoniak,” thotë Jelena Terzin, 39 vjeç, ish-gazetare zyra e së cilës ishte në të njëjtën ndërtesë me hotelin kryesor të qytetit. “Kur turistët vijnë, ata pyesin nëse uji mund të përdoret fytyrën apo për të larë dhëmbët.”

Niveli i arsenikut në qytet që ka gati 40 mijë banorë, ishte dy herë më i lartë se sa limiti ligjor më 2016, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme. Autoritetet kanë urdhëruar ndalimin e pirjes së ujit, ndërsa kanë instaluar të ashtuquajturat tuba ekologjik në qendër të qytetit për t’i mundësuar banorëve të mbushin ujë të pastër me shishe.

“Kjo zyrë thotë pa mëdyshje në çdo raport të vetin se uji nuk është higjenik, që është jo i pastër,” tha Sanja Brusin Belo, drejtoresha e higjienës dhe ekologjisë njerëzore në zyrën e shëndetit publik të Kikindës.

Majin e kaluar, qyteti nënshkroi një kontratë për gjashtë milionë euro kredi nga banka gjermane për zhvillim KfW, për të ndërtuar një impiant purifikimi. Impianti pritet të fillojë punë më 2019.

Zyra e kryebashkiakut nuk iu përgjigj pyetjeve mbi furnizimin me ujë të Kikindës apo specifikave të impiantit të ri.

Impianti i Kikindës është një nga shumë pak projekte në Vojvodinë që synojnë të trajtojnë problemin e arsenikut. Zyrtarët në qeverinë e provincës, përfshirë Vuk Radojevic, sekretari i bujqësisë, menaxhimit të ujit dhe pyjeve, refuzuan kërkesat për intervistë dhe nuk iu përgjigjën pyetjeve me email. Mes pyetjeve ishin ato që lidheshin me investimet e qeverisë së provincës për purifikimin e ujit.

Investigimi i BIRN tregoi se vetëm një impiant i madh i pajisur me kapacitetet për të hequr arsenikun është ndërtuar në Vojvodinë përgjatë pesë viteve të fundit, në qytetin e Zrenjaninit.

Vonesat përndoqën projektin e përbashkët të dy kompanive të purifikimit të ujit, Zillo nga Italia dhe Synertech nga Serbia. Puna ishte planifikuar të përfundonte më 2015.

Punët ndaluan kur qyteti dështoi të garantojë pagesën e 5.6 milionëve euro që do të kushtojë purifikimi i ujit për tre vitet e ardhshme. Eventualisht, qeveria qendrore e Serbisë ndërhyri për të dhënë garancinë.

Nenad Obradoviç, menaxher i përgjithshëm i Synertech dhe mbikëqyrës i projektit, tha në janar – pothuajse gjashtë muaj pasi fabrika u plotësua – se inspektorati sanitar i provincës nuk ka dhënë ende leje për operimin e tij. Ai shtoi se analizat tregojnë se uji i furnizuar nga impianti ishte shumë i pastër.

Arsyeja për mungesën e lejes, tha ai, ishte ligji që ndalon kompanitë nën pronësi private të furnizojnë ujë të pijshëm për publikun.

Duke vizituar Zrenjaninin në fund të janarit, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic tha se qyteti duhet të marrë në dorë impiantin nga zhvilluesit privat në mënyrë që të shmangë problemin, megjithëse ishte e paqartë se sa kohë do të duhet për të arritur një zgjidhje.

Nëntëdhjetë kilometra larg në qytezën verilindore të Vrsac, punëtorët përfunduan një impiant tërësisht të ri në janar me vlerë 6 milionë euro, por Vrsac nuk ka një problem arseniku dhe impianti është i dizajnuar të trajtojë probleme të tjera me furnizimin me ujë.

Në tetor, qyteti verior i Suboticës njoftoi se ka siguruar 5.5 milionë euro financime nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të ndërtuar një impiant për trajtimin e arsenikut në ujë. Ai pritet të përfundohet në tetor 2019, sipas medias vendore.

Bozo Dalmacija, kryetar i Departamentit të Teknologjisë dhe Mbrojtjes Mjedisore në Universitetin e Novi Sadit tha se një mënyrë për të zgjidhur furnizimin me ujë të Vojvodinës është të ndërtohen “mikrosisteme” me impiante të vogla purifikimi në çdo bashki.

“Diçka e tillë mund të kushtojë deri 700 milionë euro për të gjithë Vojvodinën,” tha ai. “Ne mund të theksojmë problemet e ujit në Kapitullin 27 të bisedimeve me BE-në dhe të konkurrojmë për fonde të BE-së.”

Serbia është një vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE dhe Kapitulli 27 është pjesë e bisedimeve për anëtarësim që lidhet me mjedisin, përfshirë cilësinë e ujit.

Vendi ka sakaq akses te fondet e BE-së për periudhën para anëtarësimit ku 160 milionë euro janë dhënë për të trajtuar problemet mjedisore deri në vitin 2020.

Banorja e Kikindas Jasminka Popov po pi ujë nga një ‘rubinet eko’ që furnizon ujë të pastër. Foto: Nenad Mihajlovic

Afatet kohore të BE-së

Kroacia, anëtari më i ri i Bashkimit Europian, ka kohë deri më 2019 për të plotësuar rregullat e BE-së për kufizimin e nivelit të arsenikut në µg/L ose më pak. Investigimi i BIRN tregon se ajo është ende shumë larg objektivit.

Të dhënat e siguruara nga Instituti i Shëndetit Publik të Kroacisë kanë zbuluar se 173 mijë njerëz në 13 qytete dhe fshatra në perëndim mbështeten te furnizimet me ujë që kanë nivel arseniku mbi nivelin ligjor sipas të dhënave të vitit 2016.

Zonat me nivel të lartë arseniku përfshinin qytezat Djakovo, Garesnica dhe Cepin, me popullsi respektive 28 mijë, 11,600 dhe 11,300.

“Problemi i arsenikut në ujin e pijshëm në Kroacinë lindore duhet të shikohet në kontekstin e kompanive vendore të ujësjellësve,” tha përmes një emaili një përfaqësues nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Shumica e këtyre kompanive vendore kishte probleme me vlerat e larta të arsenikut, të cilat nuk janë zgjidhur për shkak se bashkësitë vendore zakonisht nuk kanë fonde shtesë e madje nuk kanë fonde as për mirëmbajtjet më minimale të sistemit, e jo më për ndërtimin e impianteve të purifikimit të ujit.”

Për periudhën 2007-2020, Kroacia ka marrë 225 milionë euro grante nga BE për projekte të ujit të pijshëm, sipas zëdhënësit të Komisionit Europian.

Pavarësisht granteve, Instituti i Shëndetit Publik tha bashkitë nuk mund të përballojnë financimin e mirëmbajtjes së rregullt të rrjetit të furnizimit me ujë dhe aq më pak të ndërtojnë impiante të reja të purifikimit.

Hungaria fqinje ka humbur dy herë afatet e vendosura nga BE në uljen e nivelit të arsenikut poshtë kufirit ligjor, më 2009 dhe 2012.

Por Martha Varga, drejtoreshë e departamentit të ujit në Institutin e Shëndetit Publik në Budapest tha se një program kombëtar për përmirësimin e cilësisë së ujit ka sjellë përmirësime dramatike në këtë vend me 10 milionë banorë.

Ajo tha se rreth 100 mijë njerëz në 30 bashkësi mbështeten te uji me nivel arseniku mbi limitet ligjore, krahasuar me gati gjysmë milioni që ishte ky numër para se Hungaria të anëtarësohej në BE më 2004.

“Shumica e këtyre [niveleve] janë poshtë 20 [µg/L] ndërsa disa janë mes 20 dhe 40 maksimumi,” tha ajo. “Por askush nuk është i detyruar të pijë ujë që përmban arsenik për shkak se ka furnizim alternativ me ujë në çdo bashkësi. Ne kemi fushata të vazhdueshme komunikimi.”

BIRN nuk ishte në gjendje të krijonte një hartë me nivelet e arsenikut për bashkësitë e Hungarisë për shkak të mungesës së të dhënave.

Kërkesat për informacion nga ministria e brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit të Ujit mbetën pa përgjigje, përfshirë pyetjet se sa impiante purifikimi janë ndërtuar me fondet e BE-së.

Pjesa e fondeve të BE-së që i shkojnë Hungarisë për projekte të ujit të pijshëm arrin në 663 milionë euro për periudhën nga viti 2000 më 2020, sipas të dhënave të zëdhënësit të Komisionit Europian.

‘Është një rreth vicioz dhe ne të gjithë po presim për ardhjen e një shpëtimtari’

  • Nevena Subotic, një politikan në Novi Becej

Në Rumani, kërkimi i kryer në mes të viteve 1990 zbuloi se rreth 45 mijë njerëz ishin të ekspozuar nga niveli i arsenikut më i lartë se sa 10 µg/L.

Călin Baciu, një profesor në Fakultetin e Shkencave Mjedisore dhe Inxhinierisë në Universitetin Babes-Bolyai në qytetin veriperëndimor Kluj-Napoka, është një nga autorët e kërkimit. Ai tha se nuk dinte asnjë vend me nivele të larta të arsenikut në ujin e pijshëm sot.

“Uji me nivel të lartë arseniku vinte nga rezervuarë ujorë të thellësisë së mesme (300-400 metra) dhe që shfrytëzohej me puse karteziane, por këto nuk lidhen me rrjetin e shpërndarjes,” tha ai përmes emailit.

Pas përtej kufirit me Serbinë në Vojvodinë, dështimi i provincës për të pastruar rrjetin e ujit lë pas një shije të hidhur.

Në Nobi becej, disa njerëz bëjnë shaka se kompania e ujësjellësit të qytetit kujdeset më shumë për lulet se sa për banorët.

Kur një valë nxehtësie me nofkën Lucifer goditi Europën gushtin e kaluar, duke plasur temperaturat më të larta në 130 vjet në Novi becej, punonjësit e ujësjellësit i mbajtën petunjat përgjatë shëtitores të gjalla duke i vaditur me kujdes çdo ditë.

“Të gjithëve u janë lidhur duart,” tha Nevena Subotic, anëtare e opozitës në parlament, e cila ka kritikuar qeverinë se nuk ka urdhëruar ndalimin e pirjes së ujit të çezmës.

“Qytetarët nuk mund të blejnë ujë dhe asnjë nga qeveritë vendore nuk mundet të financojë më vete ndërtimin e impianteve të reja të kushtueshme. Është një rreth vicioz ku të gjithë po presin ardhjen e një shpëtimtari.”

Çmimi i ujit të pastër

Projektet për të pastruar arsenikun nga uji nëntokësor janë të mira për shëndetin publik por të këqija për financat publike.

Autoritetet vendore zakonisht ia kalojnë koston e purifikimit të ujit të pijshëm konsumatorëve në formën e faturave më të larta mujore, duke bërë që disa njerëz të vendosin shëndetin e tyre në rrezik duke u mbështetur te puset personale, thonë ekspertët.

Sipas toksikologut të Greenpeace Gergely Simon, kjo është ekzaktësisht ajo që po ndodh në disa pjesë rurale të Hungarisë pasi programet e purifikimit rritën çmimet e furnizimit me ujë.

“Puset nuk janë të regjistruara, dhe për shkak se uji nëntokësor është i ndotur me arsenik në pjesën qendrore, jugore dhe lindore [të Hungarisë], ata janë duke pirë ujë me arsenik,” tha ai.

Në provincën e Vojvodinës në Serbi, banorët e qytetit Zrenjamin po presin të shohin se çfarë do të ndodhë me faturat e ujit kur impianti i sapondërtuar i purifikimit të fillojë të funksionojë.

Sipas një kontrate mes qytetit dhe kompanisë italiane që ndërtoi impiantin, publikuar në faqen e internetit të kompanisë ujësjellëse të zonës, purifikimi do ttë shtojë 0.28 euro për metër kub në koston ekzistuese të ujit.

Ndërsa konsumatorët do të mbajnë barrën e kostove shtesë, kryebashkiaku i Zrenjamin Cedomir Janjic tha në janar se fatura e ujit nuk do të jetë më e lartë nga sa janë në Beograd apo Novi Sad, kryeqyteti i Vojvodinës.

Paga mesatare mujore në Zrenjanin ishte 371 euro vitin e kaluar, sipas Departamentit të Statistikave të Serbisë. Paga mesatare mujore në Novi Sad ishte 458 euro dhe në Beograd ishte 501 euro.

Më shumë dëm se sa mirë?

Më 2014, kryebashkiakët në 25 fshatra në Hungarinë e jugut u mblodhën në qytezën piktoreske Baja, 30 kilometra nga kufiri me Serbinë, për të përgatitur një aplikim të përbashkët për të fituar fonde të BE-së për furnizim me ujë.

Tri vjet më vonë, 20 milionë euro nga fondet e BE-së mbërritën për ndërtimin e një impianti për purifikimin e ujit në Baja, duke i shërbyer 25 bashkësive. Por vendësit thonë se projekti ka bërë më shumë dëm se sa mirë.

Impianti i ri fringo i përfunduar më 2016 hedh në rrjet ujë të pijshëm, por sistemi i vjetruar i tubave nëpër shtëpi e bën cilësinë e ujit edhe më të keq, thonë ata.

“Tubat janë 35-50 vjet të vjetra,” thotë Miklos Varhalmi, një inxhinier në pension në Baja me një doktoratë në sigurinë kombëtare. Ai ishte nga të parët që vuri në pikëpyetje projektin.

“Ndërsa ata nuk pastruan tubat nga brenda, uji i ri me shumë oksigjen filloi të shpëlajë të gjithë pisllëkun brenda tubave. Në pjesë të ndryshme të qytezës, uji tashmë është blu, i kaftë dhe i verdhë.

Varhalmi thotë banorët u detyruan të blejnë ujë me shishe, i cili kushton rreth 30 euro në muaj nëse ata blejnë tre litra në ditë. Paga mesatare pas taksave ishte rreth 651 euro vitin e kaluar, sipas Zyrës Qendrore të Statistikave të Hungarisë.

Varhalmi dëshiron të përgatisë një aktpadi të përbashkët për më shumë se 16.5 milionë euro kompensime, sasi që ai thotë se banorët kanë shpenzuar për ujë me shishe që kur projekti filloi të nxjerrë papastërtitë nga tubat.

Si kryebashkiaku i Bajas ashtu edhe drejtori i kompanisë vendëse të ujësjellësit refuzuan kërkesa për intervista.

Milos Stanic është një gazetar serb me bazë në Novi Sad. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Investigative, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet Shoqëria e Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.