Foto: Posta e Kosovës

Autoriteti i Konkurrencës i Bie Pishman Vendimit për Postën

Autoritetit Kosovar të Konkurrencës i ka rënë pishman për vendimin e marrë për largim të Postës nga Institucionet e Kosovës. Ky Autoritet e ka korrigjuar vendimin e marrë në muajin shkurt me të cilin konstatohej se prania e filialeve të Postës nëpër institucione Publike përbënte shkelje të ligjit të konkurrencës. Konstatimi për shkelje ligjore ka mbetur i njëjtë, mirëpo AKK-ja e ka përmirësuar vendimin te pjesa e këshillës juridike duke i dhënë mundësi Postës të iniciojnë konflikt administrativ në Gjykatë.

Korrigjimi i këtij vendimi është bërë pas raportimeve të Gazetës Jeta në Kosovë për kontestimin e vendimit të AKK-së pikërisht për shkak të mungesës së këshillës juridike.

Gazeta JnK e ka siguruar vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës i cili do t’i mundësojë Postës të vazhdojë operimin nëpër institucione të Kosovës.

“Përmirësohet – Korrigjohet Vendimi i AKK-së nr41/16 i datës 06.12.2016 ashtu që në pjesën që ka të bëjë me këshille juridike ku në faqen 8 i shtohet paragrafi Këshillë Juridike”, thuhet në vendimin e ri të AKK-së.

Tutje në vendim thuhet se palët kanë të drejtë të inicimit të konfliktit administrativ në Gjykatë.

“Inicimi i konfliktit administrativ e ndalon ekzekutimin e vendimit”, thuhet tutje në vendimin e Komisionit të AKK-së të datës 27 shkurt 2017.

Gazeta JnK e ka siguruar edhe shkresën që kreu i AKK-së, Valon Prestreshi ia ka dërguar kryeshefit të Postës për të njoftuar për ndryshimin e vendimit. Në këtë shkresë, Prestreshi ka thënë se meqë është bërë një aktpadi për konflikt administrativ pezullohet vendimi për largim të Postës nga Institucionet Publike. Pra, derisa të merret një vendim gjyqësor për padinë e dorëzuar nga Posta e Kosovës, kjo e fundit do të vazhdojë të punojë në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit që është nënshkruar në vitin 2015 dhe të kryejë pagesat brenda objekteve të MPB-së.

Në vendimin e datës 06.12.2016, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës urdhëronte Ministrinë e Punëve të Brendshme, Komunën e Gjilanit,  Mitrovicës, Ferizajt dhe Komunën e Gjakovës që të ofrojnë kushte të barabarta për transaksionet e njëjta me operatorët e tjerë ekonomikë.

“Rekomandohet, Ministria e Punëve të Brendshme, Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjilanit, Komuna e Mitrovicës, Komuna e Ferizajt, Komuna e Gjakovës si dhe të gjitha autoritetet shtetërore; qendrore dhe lokale që të ofrojnë kushte të barabarta për transaksionet e njëjta me operatorët e tjerë ekonomikë (IFJB), duke i vendosur ato në gjendje të favorshme konkurruese përmes mekanizmave ligjorë, në respektim të ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet tutje në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Megjithatë ky vendim nuk është ekzekutuar nga shumica e institucioneve të lartpërmendura.

Specifikisht, Komuna e Prishtinës e ka arsyetuar mos respektimin e këtij vendimi për shkak të mungesës së këshillës juridike në këtë vendim.

“Në kuptimin procedural që përcaktohet me nenin 84, paragrafi F dhe G, të Ligjit të Procedurës Administrative, Nr. 02/L-28, vendimi i Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës nuk përmban një nga elementet kryesore ne pjesën përmbyllëse – këshillën juridike dhe si forme nuk përmbush kushtet formalo juridike – andaj mungojnë informatat për palët se ankesa këtij vendimi a e pezullon ekzekutimin e vendimit apo jo, si dhe bazën ligjore për një gjë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Komunës për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar për vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe dëmet material që mund t’i shkaktojë ky vendim Postës së Kosovës.

Urdhri që Rrezikon Qëndrueshmërinë Financiare të Postës

Në fillim të kësaj jave, punëtorët e Postës kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës për të kërkuar shfuqizimin e vendimit të AKK-së.

http://kallxo.com/proteste-kunder-vendimit-per-mbylljen-e-43-pikave-postare/