FSK-ja Parakalon më 17 Shkurt

Forca e Sigurisë së Kosovës, do të jetë e angazhuar për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ibrahim Shala nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në MFSK i ka konfirmuar KALLXO.com parakalimin e FSK-së për nder të Ditës së Pavarësisë.

“Po, FSK do të jetë e angazhuar në aktivitete për 10 vjetorin e pavarësisë. Me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës do të ketë parakalim të FSK-së”, tha Shala për KALLXO.com.

Në tre vjetët e kaluar FSK nuk ka parakaluar më 17 shkurt.

Sipas zëdhënësit Shala, e gjitha ka të bëjë me qëndrimet e qeverive të kaluara.

“Kjo ka të bëjë me qëndrimet e qeverive të kaluara për manifestimin e ditës së pavarësisë”, shtoi Shala.

Kosova më 17 shkurt do të festojë dhjetëvjetorin e saj të pavarësisë.

Për nder të kësaj dite, janë paraparë aktivitet prej më të ndryshmeve.