Radonçiq në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Fahrudin Radonçiq në Gjykimin e Naser Kelmendit

Radonçiq që është dëshmitar në gjykimin e Naser Kelmendit, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Andrew Hughes rreth jetës së tij, tregoi se ka lindur në Beran të Malit të Zi, ndërsa është rritur mes Malit të Zi, Bosnjës e Kosovës.

Politikani boshnjak që para se t’i hynte politikës ishte edhe pronar mediesh, u pyet a kishte shkollim për gazetari.

“Përgjigjja është jo,” tha Radonçiq.

Radonçiq më tutje tregoi se ishte pjesë e sektorit të informimit në kabinetin e Sefer Haliloviqit, komandantit të Ushtrisë Boshnjake gjatë luftës.

Bëri të ditur se shërbeu në ushtri gjatë periudhës maj 1992-korrik 1993, ndërsa angazhimi i tij tha se ishte në baza vullnetare.

Radonçiq rrëfeu se gjatë angazhimit të tij nuk kishte ndonjë gradë, ngase gradat në Ushtrinë e Bosnjës sipas tij kishin filluar të vendoseshin në vitet 1993-1994.

Radonçiq tregoi se është takuar për herë të parë me Ramiz Delaliqin në vitin 1992. Tha se Delaliq ishte njëri nga dhjetë komandantët në Sarajevë, kur qyteti ishte i rrethuar gjatë luftës.

Naser Kelmendi akuzohet mes tjerash edhe për vrasjen e Ramiz Delaliqit që ndodhi në vitin 2007 në qendër të Sarajevës.

09:57

Fahrudin Radonçiq që përveç deputet është edhe themelues dhe kryetar i partisë Unioni për një të Ardhme më të Mirë të Bosnjës është dëshmitari i sotëm në gjykimin ku Naser Kelmendi akuzohet për vrasje dhe një varg veprash që lidhen me trafik narkotikësh.

Aktualisht politikani boshnjak Radonçiq ka ardhur në Pallatin e Drejtësisë, ndërsa seanca është shtyrë për një orë ngase mungon i akuzuari Naser Kelmendi.

Vetë Radonçiq është duke u gjykuar për pengim të drejtësisë në Bosnjë, pasi sipas prokurorisë së atjeshme ai urdhëroi kolegët e partisë që të ndikojnë në mjeken Azra Sariq e cila ishte paraparë të dëshmonte në gjykimin e Kelmendit.

Radonçiq është deklaruar i pafajshëm duke i mohuar pretendimet se është përfshirë në çështjen e Kelmendit.

Edhe Azra Sariq dëshmoi gjatë gjykimit të Kelmendit, por seanca kur ajo dëshmoi ishte e mbyllur.

http://kallxo.com/azra-sariq-perseri-ne-gjykimin-e-naser-kelmendit/

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar të vitit të kaluar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.