Elshani: Nuk më Lejuan të Investoj në Vendin Tim

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” i transmetuar të premten shfaqi gjetjet e një hulumtimi për një mërgimtar që u ankua se fqinjët nuk po e lejojnë të investojë në pronën e tij, pasi ia kanë bllokuar rrugën që çon te ajo.

Adem Elshani nga fshati Nagavc i Rahovecit ka rrëfyer para kamerës së emisionit “Drejtësia në Kosovë” se erdhi nga Zvicra për të investuar, mirëpo shteti u dorëzua para disa personave që nuk e lejuan të hapë rrugën drejt arës së tij.

“Kam qenë në Zvicër, që 15 vjet kam punua atje dhe kam ardhur me investuar ne Kosovë, mirëpo po kam problem me disa kojshi te mi se s’po me lejojnë me hapë rrugën, masnej kam shku ne komunë dhe ata me kanë thanë që ajo është rrugë dhe ka me qenë rrugë, po rruga su hap ende”, tha Elshani.

Zyrtari kadastral i Komunës së Rahovecit Nazmi Krasniqi, the se rruga për të cilën Elshani po flet ne regjistrat kadastralë figuron si rrugë që nga viti 1959.

“Me kërkesën e një personi që ka dashur ta hapë një fermë atje, ne kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe i kemi qitë pikat. Kemi pasur edhe kërcënime nga banorët atje dhe e kemi pa se aty ka rrugë, mirëpo rruga nuk është hapur”, theksoi Krasniqi.

Kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi tha se e di mirë situatën, ndërsa tregoi se duke vepruar ngadalë për t’i ikur një konflikti në mes të banorëve.

“Disa persona, përkatësisht një lagje, pretendojnë së ajo nuk ka qenë kurrë rrugë dhe nuk duhet të mbetet rrugë, edhe pse në regjistrat kadastralë figuron se është rrugë. Ne kemi vepruar kujdesshëm, sepse ka pasë persona të gatshëm për të shkaktuar konflikt në mes veti”, tha Vehapi.

Zyrtarë të Zyrës për Informim të Policisë së Gjakovës nuk deshën të  tregojnë para kamerës për ngjarjet e fshatit Nagavc duke u mjaftuar me vetëm një përgjigje me shkrim.

“Policia është njoftuar për këtë çështje e cila konsiderohet se është kontest civil. Zyrtarët policorë kanë asistuar zyrtarët komunalë në këtë rast me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nga Drejtoria për Gjeodezi”, sqaroi kjo zyrë.

Policia e Gjakovës ka hapur një rast të kanosjes për problemin rreth rrugës që nuk i lejoi investimet biznesmenit Elshani.

“Lidhur me këtë çështje është iniciuar një rast kanosjeje ndaj një qytetari, i cili kishte kanosur zyrtarin komunal. Policia ka ushtruar kallëzim penal ndaj personit të dyshuar dhe rasti i është dorëzuar prokurorisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Gjakovës për Emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

“Drejtësia në Kosovë” zbuloi se rasti i kanosjes është hapur ndaj Nebih Elshanit.

“Lidhur me lëndën që ju kërkuat ju njoftojmë se ndaj këtij personi është ngritur aktakuza dhe lënda ka shkuar në gjykatë për veprimet e mëtutjeshme” shpjegoi Prokuroria E Gjakovës.

Nebih Elshani edhe pse tash i akuzuar, ende vazhdon të pretendojë se rruga nuk do të hapet. Njësoj si Elshani mendojnë edhe të afërmit dhe fqinjët e tij.

Por ndryshe nga prokuroria dhe policia që janë angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi, Komuna e Rahovecit nuk ka paraqitur kallëzim penal, edhe pse banorët që nuk po i lejojnë rrugë drejt pronës së tij Adem Elshanit, i konsideron uzurpatorë.

“Sipas Zyrës Ligjore të Komunës së Rahovecit dhe inspektorëve të komunës, kjo komunë ju njofton se nuk ka bërë asnjë kallëzim penal që lidhet më bllokimin e rrugës në fshatin Nagavc”,u përgjigjZyra për informim e Komunës së Rahovecit.