Mbledhja e Senatit të UP-së - Foto: KALLXO.com

‘Edhi i Prerë’ dhe ‘Formimi i Ushtrisë’ në Senat të UP-së

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ka mbajtur mbledhjen e parë për vitin 2018. Në këtë mbledhje u shqyrtuan 12 pika të rendit të ditës ndërsa u shty për shqyrtim kërkesa e Parlamentit të Studentëve për lejimin e afatit të absolventëve për të gjitha njësitë akademike.

Disa vendime u kaluan e disa të tjera u kundërshtuan me debate dhe vota. Disa nga këto raste ishin ato të  Valdrin Kasumaj personel i FSK-së, Mimoza Dugollit, bashkëshortja e dekanit të Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli.

Rasti i parë i Valdrin Kasumaj që ishte ardhur në senat me rekomandim të Ministrit të FSK u refuzua për shkak të mos përmbushjes së notës në nivelin Bachelor si dhe mos nënshtrimit në provim për të qenë student i nivelit të doktoratës në Fakultetin Ekonomik.

Ky refuzim nxiti reagimin e senatorit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ramë Likaj.

“A je ne gjendje ti me i plotësu diçka një ushtrie të ardhme të Kosovës bre si Universitet, ku krejt i kanë sytë nga ky Univeristet”, ishte pyetja e senatorit Likaj drejtuar menaxhmentit të UP-së.

I menjëhershëm ishte reagimi i prorektorit Faton Berisha i cili tha se nga pozita që ka nuk mund ta krijojë ushtrinë.

“O profesor i nderuar, sikur të kisha mundur e kisha bo ushtrinë dje. Por nuk po mendoj që prej kësaj pozite mund ta bëj ushtrinë e Kosovës”, deklaroi Berisha.

E pikë tjetër e nxehtë në këtë senat ishte edhe shqyrtimi i rastit të Mimoza Dugollit, bashkëshortja e dekanit të Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli.  Pas shumë diskutimesh, senati i UP-së me 19 vota kundërshtoi avancimin e saj si profesoreshë asistente.

Por jo të gjithë u pajtuan me refuzimin e saj. Shtatë senatorë votuan kundër propozimit që Mimoza Dugolli të mos avancohet ndërsa shtatë të tjerë abstenuan.

Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Abdullah Zejnullahu, ka treguar se Këshilli i Fakultetit ka refuzuar avancimin e Mimoza Dugollit.

“Në bazë të asaj që të respektohet statuti, nuk i plotëson kushtet. E ka konstatuar edhe Senati para kësaj mbledhjeje që nuk e plotëson kriterin të një punimi. Këshilli i Fakultetit të njëjtën gjë, nuk ka mundur të gjejë ndonjë ndryshim. Ato që i ka pasur ka propozuar që në përputhje me statutin të mos zgjidhet”, tha Zejnullahu.

E ky vendim i Këshillit të Fakultetit të FNA-së e habiti dekanin e Ffakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala, si dhe senatoren e Fakultetit Filozofik, Jehona Lushaku.

“Sido që të jetë është vendim i Senatit mirëpo pak po më çuditë Këshilli i Fakultetit apo ndoshta ka reflektuar me kohë, njëherë thotë po, tash thotë jo. Ta çojmë edhe njëherë te ta, e treta e vërteta dhe të shohim çfarë vendimi po marrim”, tha dekani Shala.

“Edhe unë po e shoh pak me shqetësim këtë ndryshimin e fakultetit sepse e dimë që kandidatja ka pasur pozitiv edhe recensionin edhe këshillin e Fakultetit. Tash sa herë te kthejmë ne, këta po e ndryshojkan edhe qëndrimin”, tha senatorja Jehona Lushaku.

Kundër refuzimit të saj ishin  edhe dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, dhe senatori i këtij fakulteti, Avni Puka, të cilët kërkuar shtyrjen e rastit Dugolli për një mbledhje të ardhshme.

Gjatë kësaj mbedhje u refuzua edhe rasti i asistentit Bardhyl Hasanpapaj nga Fakulteti Juridik. Po ashtu u shqyrtua edhe raporti i komisionit të ankesave dhe parashtresave të Senatit për kandidaten Arlinda Jakupi nga Fakulteti i Mjekësisë. Ndërsa rasti i kandidatit Cenë Krasniqi nga Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës u kthye sërish në Këshillin e Fakultetit nga Senati i UP-së.

Krejt këto raste ngjallën debat në senat, ku nxitën rektorin e UP-së, Marjan Dema të tregoj një anekdotë.

“Njërit i kanë mbetë fëmijët dhe familja pa bukë dhe e ka pre një edh. Tu e pre edhin ai e paska pasë bërtimën shumë të rëndë. Tu e pre tu i thanë po më dhimbesh në shpirt por nuk kam çka bëj se fëmijët po më mbesin untë. Edhe mua po më dhimben shumë kolegët, të jeni mëse të bindur”, tha rektori Dema.