Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie

Delawie: Kosova, Lider në Luftimin e Terrorizmit

“Mendoj që Kosova është lider në luftimin e terrorizmit. Kosova ka ndjekur penalisht, ka dënuar e disa janë në burg”, ka thënë ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, lidhur me veprimet e autoriteteve kosovare karshi veprave që ndërlidhen me terrorizmin.

Këto komente ambasadori amerikan i bëri në Seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nikoqir i të cilit është Kosova, ku foli rreth temës: NATO në Ballkanin Perëndimor: Sot dhe Nesër: Nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara.

Me këtë rast, ambasadori Delawie tha se NATO nuk po shkon askund dhe se ajo do të mbetet këtu edhe një kohë të gjatë.

Delawie ka përmendur faktin se tri vendet e rajonit, Shqipëria, Sllovenia e Kroacia, të cilat janë anëtare të NATO-s po kontribuojnë për stabilitetin e rajonit.

Sa i përket Kosovës, ambasadori amerikan tha se prania e KFOR-it mbetet destimulues i dhunës dhe jostabilitetit.

“KFOR ka qenë shumë i suksesshëm, por puna e tij ende nuk ka përfunduar këtu”, tha ai, duke theksuar se duhet të mbështesim transformimin e FSK-së në FAK “me kompetenca të kufizuara në fushën e mbrojtjes territoriale”.

http://kallxo.com/fungo-gjendja-e-sigurise-eshte-permiresuar-dukshem/