Foto: Avokati i Popullit

Avokatët e Popullit të Rajonit me Deklaratë për Mjedisin dhe të Drejtat e Njeriut

Gjatë qëndrimit në Lubjanë ku po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje në fushën e mjedisit dhe të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka nënshkruar një deklaratë të përbashkët me të gjithë avokatët e popullit të rajonit.

Në një komunikatë të lëshuar nga Avokati i Popullit i Kosovës thuhet se shtetet nënshkruese kanë marrë obligime që përmes bashkëpunimit, shkëmbimit të njohurive gjetjeve, përvojës dhe praktikave më të mira, të zhvillojnë më tej format e reagimit dhe përmbushjes së misionit të Ombudsmanëve në fushën e mjedisit.

Avokatët e Popullit kanë vënë në dukje se pjesëmarrja e publikut në vendimmarrjen mjedisore dhe hapësinore në shtetet e rajonit është nën nivelin e dëshiruar ndërsa qëllimi i deklaratës së nënshkruar është “bashkëpunimi më i ngushtë në lidhje me mbrojtjen e mjedisit”.

“Bashkëpunimi do të zhvillohet nëpërmjet forumeve të rregullta vjetore, konferencave ose takimeve të përfaqësuesve, takimeve të orientuara në tema, vizitave të përbashkëta në zonat e degraduara dhe shkëmbimit të njohurive, gjetjeve, dokumenteve, informacioneve dhe raporteve”, thuhet në komunikatë.