Ankohen të Lënduarit nga Ndeshja me Makinën Zyrtare

Gjashtë  banorë të fshatit Veriq të Istogut derisa po ktheheshin nga puna me një kombibus, javën e kaluar ishin aksidentuar me një veturë zyrtare të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Këta të lënduar nga aksidenti në Magjistralen Pejë- Mitrovicë u ankuan në KALLXO.com se nuk u trajtuan në mënyrë profesionale në Spitalin Rajonal të Pejës.

Afrim Istrefaj tha se edhe pse ndodhej në gjendje të rëndë pas aksidentit, është lëshuar në shtëpi shumë shpejt.

“Na kanë dërguar në spital, kush na ka dërguar nuk e dimë. Spitali nuk na ka trajtua ashtu qysh duhet. Dy orë, vetëm dy orë na kanë mbajtur(në spital), edhe jemi shumë gjendje të keqe”,tha Istrefaj

Vozitësi i kombibusit,Sylë Përzholli tha se aksidenti ndodhi teksa kishte dhënë shenjë për të dalë nga magjistralja në rrugën e fshatit Veriq.

“Veç e di veten se kam qenë i rreshtuar shumë në rregull, me shenjë, me krejt, po papritmas një veturë zyrtare me ka goditur të cilin se kam parë për momentin, se shpejtësia. Këto i ndodhin çdokujt, aksidenti ndodh mirëpo na jena pak të hatruar që nuk na ra mas kurrkush”, tha Përzholli për KALLXO.com

Të lënduarit ankohen se ende nuk janë marrë në pyetje në lidhje me shkaqet e aksidentit.

“Absolutisht as nga Shërbimi Korrektues, as policor as njëri i gjallë s’ka ardhur. Jam detyruar me thirrë KALLXO.com bile së paku ta qetë në dritë qeto sene çka po bohet”, tha Afrim Istrefaj.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës, Skender Dreshaj, përmes telefonit tha për KALLXO.com se nuk ka pranuar asnjë ankesë rreth këtij rasti.

“Është vlerësim profesional pse ata janë liruar pas tretmanit mjekësor. Rreth këtij rasti nuk kemi pranuar asnjë ankesë. Në rast se kanë shqetësime le t’u drejtohen komisioneve të ankesave dhe drejtorisë së spitalit”, tha Dreshaj për KALLXO.com .

KALLXO.com i është drejtuar me shkrim lidhur me këtë çështje edhe Policisë Rajonale të Pejës, por ende nuk ka marrë përgjigje prej saj.