Libri me esetë e studentëve | Foto: ORCA

‘Anës Universitetit’, Libri me Ese i Studentëve për Problemet në UP

Organizata për Rritjen e Cilësisë së Arsimit ka bërë sot publikimin e librit “Anës Universitetit” me ese të studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Përmes këtyre eseve studentët e universitetit kanë treguar përvojat e tyre të ndryshme në varësi prej shtresës ekonomike së cilës i përkasin si dhe fakultetit ku studiojnë.

Rron Gjinovci tha se përshtypje i ka lënë fakti që studentët në ese zgjidhjet për problemet i kërkojnë nga jashtë.

Gjinovci po ashtu ka folur edhe për arsyen e vendosjes së titullit “Anës Universitetit”

“Vendosëm që këtë libër ta titullonim ‘Anës Universitetit’ duke provuar ta tërheqim vëmendjen e lexuesit të cilit mund t’i asocojë me poezinë e Fan Nolit ‘Anës Lumenjve’. Aty ka kritikë, autokritikë dhe shpresë, siç ka edhe në esetë e këtij libri”, tregoi Gjinovci.

“Mos ta Kemi Problem Çështjen e Banimit”, “Nota Dhjetë”, “Unë Student Krenar i UP-së” janë disa nga titujt e eseve të studentëve nga universiteti të cilat janë përzgjedhur nga komisioni për publikim në këtë libër.

Duke pasur parasysh që në një masë të madhe të eseve është trajtuar mungesa e librave në bibliotekat e fakultetit dhe konvikteve, ORCA ka filluar sot kampanjën për dhurimin e librave nga qytetarët për bibliotekat e fakultetit dhe konvikteve.

ORCA fton të gjithë njerëzit e interesuar të ndihmojnë studentët me libra, të sjellin librat e tyre të studimeve, ose libra të tjerë që mund t’u duhen studentëve, në zyrën e ORCA-s, nga 15 shkurt deri më 1 mars.