Pamje nga një mbledhje e KGjK-së - Foto: KGjK

Amerikanët e Britanikët të Zhgënjyer me KGjK-në

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shprehur të zhgënjyera me mënyrën se si Këshilli Gjyqësor i Kosovës votoi për kryetarin e Gjykatës së Apelit dhe atë të Gjykatës Supreme.

Në një deklaratë e cila pason atë të Bashkimit Europian orë më parë, këto dy ambasada kanë thënë se janë në dijeni për emërimet e fundit nga KGjK të Kryetarit të Gjykatës së Apelit, si dhe të Kryetarit të Gjykatës Supreme pas anulimit, nga Gjykata Kushtetuese, të procesit të mëparshëm të emërimeve.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesit e ambasadave tona i sygjeruan KGJK-së përmirësimet që do të mund t’i bënte në procedurat e saja për emërim për të ndërtuar besimin e opinionit publik në sistemin e drejtësisë.  Mirëpresim faktin që pas rishikimit të Rregulloreve, Këshilli Gjyqësor i ka miratuar disa prej këtyre propozimeve.  Megjithatë, siç ia kemi bërë të ditur KGJK-së edhe atëherë, ne jemi të zhgënjyer me vendimin që votimi të mbahet i fshehtë.  Besojmë se votimi i hapur do të dërgonte sinjal të fortë të përkushtimit të KGJK-së ndaj parimeve të transparencës, meritokracisë dhe llogaridhënies”, thuhet në deklaratë.

“Për fat të keq, shikuar procesin e përsëritur të përzgjedhjes për këto pozita nga këndi ynë, na ka bërë që sërish të vëmë në dyshim përkushtimin e sinqertë të KGJK-së ndaj këtyre parimeve.  Mungesa e çfarëdo diskutimi domethënës për meritat e kandidatëve në listën e ngushtë do të thotë se një pjesëtar i publikut që i ka ndjekur këto procese nuk do të mund të kuptonte përse një kandidat parapëlqehet para një tjetri.  Arsyetimi me shkrim i dhënë nga KGJK-ja më pastaj fare nuk e korrigjon këtë përshtypje. Duhet të theksojmë që brenga jonë ka të bëjë me transparencën e procesit e jo me kandidatët veç e veç”, vijon deklarata.

Ambasada Britanike dhe Amerikane thonë se ndërtimi i besimit të qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë nuk nënkupton vetëm që procedurat të jenë në përputhje me Kushtetutën.

“Ka të bëjë edhe me të siguruarit se proceset e rekrutimit, përzgjedhjes dhe emërimit janë vendosur dhe zhvilluar në mënyrë të tillë që maksimalizojnë transparencën e vendimmarrjes.  Duke marrë parasysh pozitën thelbësisht të rëndësishme që KGJK-ja e zë në sistemin e drejtësisë të Kosovës, ajo duhet të udhëheqë me shembullin e saj.  Kjo gjë kërkon përkushtimin e të gjithë anëtarëve të KGJK-së dhe lidership të fuqishëm nga Kryesuesi”, thuhet në deklaratë.

“Presim të punojmë me KGJK-në për të përparuar në arritjen e kësaj”, përfundon deklarata.