I Akuzuari për Fajde Nuk e Pranon Fajin

Një i akuzuar për fajde u deklarua i pafajshëm të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Aktakuza e prokurorit Ali Ukaj e ngarkon Krist Bezhin për veprën penale të fajdes të konsumuar gjatë periudhës prill- dhjetor 2013.

Ukaj tha se gjatë kësaj periudhe, Bezhi ka pranuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të atij personi.

“I dëmtuari Arlind Gexha ndaj të pandehurit Krist Bezhi ka marrë 20 mijë euro në muajin prill të vitit 2013 ashtu që i pandehuri nga i dëmtuari ka kërkuar 70 mijë euro duke llogaritur kamatën përkatësisht fajden mujore prej 15% me çka ka kryer vepëer penale të fajdes”, tha prokurori Ali Ukaj.

Pas leximit të aktakuzës i pyetur nga gjyqtari Gëzim Pozhegu lidhur me fajësinë, i akuzuari u deklarua i pa fajshëm.

“A e pranon fajin për këtë vepër penale? Jo”, tha i akuzuari Bezhi.

Po ashtu gjatë leximit të aktakuzës Prokurori Uka e ngarkoi të akuzuarin Bezhi për armëmbajtje pa leje, për të cilën ky i fundit e pranoi fajësinë.

Mbrojtja e të akuzuarit deri më 8 nëntor ka afat të bëjë kundërshtimet e aktakuzës.