20 Seanca Speciale për Azem Sylën

Gashi këtë shpjegim e dha pas përfundimit të seancës së parë të tillë ndaj të arrestuarve për tjetërsim të ish-pronave shoqërore.

“Sot ka qenë mundësia e hetuesisë se veçantë ku për ditën e sotme ka qenë e paraparë të merren në pyetje dëshmitarë të mbrojtur, mirëpo kjo nuk ka ndodhur sepse gjyqtarja ka vendosur që vetëm të na njoftojë për procedurën e ardhshme dhe ajo do të jetë që më 9 qershor do të vazhdohet në këtë sallë të gjykimit marrja e dëshmitarëve të mbrojtur përmes videolinkut,” tha Gashi.

Në seancat e mundësisë së veçantë hetuese, një panel prej 3 hetuesish mund të marrin në pyetje dëshmitarë që mund të ndodhë të mos jenë të pranishëm në procesin e mundshëm gjyqësor dhe dëshmia e dhënë në këto seanca konsiderohet pastaj si e dhënë në seancat gjyqësore.

Avokati  Haxhi Millaku që mbron të dyshuarin Ilaz Syla tha se në këtë rast përpos drejtësisë ka të përfshira edhe elemente tjera.

“Unë në seancë thashë se ky është një rast i veçantë që ka efekte edhe politike dhe diplomatike për Kosovën. Shqetësimi ynë si mbrojtës është që ky hetim të jetë i drejtë dhe efikas dhe të mos kemi tendenca për inkriminime pa baza që s’kanë të bëjnë fare më këtë çështje duke apostrofuar që është rast i rëndësisë së veçantë”, tha Millaku.

Seanca e radhës e mundësisë së veçantë hetuese u caktua më 9 qershor.

Seanca e sotme u mbyll për publikun me kërkesë të prokurorit Danilo Cecarelli.

52 persona, mes tyre edhe Azem Syla, deputet i PDK-së dhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore.

Sylës dhe Ukës para disa ditësh u është vazhduar paraburgimi edhe për nga tre muaj nga gjyqtarja e procedurës paraprake në Prishtinë.

Azem Syla, Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla dhe Lubisha Vujoviq ishin arrestuar në fund të prillit të këtij viti pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit kanë tjetërsuar prona shtetërore në mënyrë joligjore në regjionin e Llapnasellës, për çka të gjithë të dyshuarit janë deklaruar të pafajshëm.