Foto: Atdhe Mulla

KQZ tregon kur mund të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që nesër të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së  në një prononcim për KALLXO.com ka thënë që ky institucion do të do të veprojë në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e lejon mundësinë që të bëhet ankesë brenda 24 orëve në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Prandaj, duke e ditur se të martën rreth mesnatës është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve sipas vendimit të Gjykatës Supreme, KQZ-ja është e obliguar që të respektojë këtë afat ligjor”, tha Elezi.

Tutje Elezi ka theksuar se KQZ-ja do të komunikojë me institucionet përkatëse për të marrë konfirmim se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim dhe pastaj do të mund të shpall rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve.

“Nëse nuk do të ketë ankesa brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpall rezultatet përfundimtare gjatë ditës enjte (7 nëntor)”, tha ai.

Zgjedhjet nacionale në Kosovë janë mbajtur me 6 tetor, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, e para në këto zgjedhje është LVV, e pasuar nga LDK si dhe PDK, ndërsa koalicioni NISMA- AKR-PD deri më tani është duke u përballur me rrezikun që të mos e kaloj pragun zgjedhor.