Gjykimi i policëve | Foto: KALLXO.com

Video-Incizimet e Ryshfetit të Policëve nuk Lëshohen në Gjykatore

Edhe pse ishte paralajmëruar lëshimi në seancën e sotme i video dhe audio- incizimeve të bëra nga Inspektorati Policor i Kosovës ndaj 20 policëve të autostradës, gjykata vendosi të mos i lëshojë ato.

Gjatë seancës së djeshme ishte paralajmëruar që këto video dhe audio-incizime me të cilat prokuroria pretendon se vërtetohet marrja e ryshfetit nga 20 policët e akuzuar të Njësitit për Kontrollin e Autostradave do të lëshohen në seancën e sotme.

Por sot pasi nisi dëgjimi dhe shikimi i audio dhe video incizimeve, reaguan avokatët e të akuzuarve duke kërkuar mbyllje të seancës, në mënyrë që gazetarët të mos xhirojnë këto video.

Gjykata pastaj vendosi që seanca të mos mbyllet, por ua ndaloi gazetarëve incizimin e videove dhe audio-incizimeve për ryshfetin e policëve të akuzuar.

Audio dhe video-incizimet pastaj vijuan të shfaqen, por sapo nisi shfaqja e tyre avokatët e të akuzuarve kërkuan pauzë 10 minutëshe, ndërsa i sugjeruan gjykatës që të mos i lëshojë audio dhe video-incizimet, pasi të gjitha palët e këtij procesi gjyqësor i kanë ato.

Pas pauzës gjykata vendosi që të mos i lëshojë këto materiale, duke i konsideruar ato të shikuara.

Seanca është duke vazhduar.

Policët e akuzuar janë pjesë e grupit prej 59 policësh që u arrestuan nga Inspektorati Policor vitin e kaluar nën dyshimin për marrje ryshfeti.

KALLXO.com kishte siguruar aktakuzën ndaj policëve të akuzuar në të cilën prokuroria tregon se ia ata merrnin ryshfet.