Ilustrim

Dëshmitari rrëfen si ishte informuar nga hulumtimi i KALLXO për dyshimet e përfshirjes së policëve në kontrabandë

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

Në gjykatën e Prishtinës në cilësinë e dëshmitarëve janë dëgjuar N. B. dhe F. M., dëshmitarë këta të propozuar nga i pandehuri Zvezdan Spasojeviq në çështjen ku të akuzuar janë edhe 19 zyrtarë të tjerë policor për marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dëshmitarët N. B. dhe F. M. në pyetjen e Spasojeviqit se si ishte ai në cilësinë e mbikëqyrësit thanë që tashmë i pandehuri në cilësinë e mbikëqyrësit ishte korrekt, i drejtë dhe i barabartë me kolegë, shefat e ndërrimeve dhe me qytetarët pa përkatësi etnike.

“Unë mendoj që ka qenë korrekt për çdo zyrtar policor, mbikëqyrës si dhe përball qytetarëve”- tha F. M.

“Po e vërtetë ke qenë shumë i drejtë dhe i barabartë për të gjithë”- u përgjigj N. B.

Tutje dëshmitari F. M. tha se nuk kishte parë ndonjëherë Spasojeviqin të merr para nga ndokush në formë të ryshfetit.

“Sa i përket njohurive dhe unë çka kam parë, asnjëherë nuk kam parë që je shoqëruar me persona të dyshimtë apo që ke marrë ndonjë pare prej dikujt, është fjala për aq kohë sa kam qenë unë prezent”- shtoi tutje dëshmitari.

Dëshmitarët dëshminë e tyre e vazhduan duke treguar që nuk kishin njohuri nëse shefat e ndërrimeve kishin përdorur telefona të veçantë gjatë kontrollimit të pikave kufitare.

  1. M. shtoi gjithashtu se lidhur me tarifat për kalimin e automjeteve dhe kamionëve nuk kishte dëgjuar diçka por kishte fjalë mes kolegëve nëse kishin lëshuar dikë.

“Sa më kujtohet nuk kam dëgjuar diçka që ka, ka pas ndoshta fjalë ndërmjet-veti (kolegët), nëse e ke lëshu dikon a diçka…”- tha F. M.

Ndërsa N. B. tha që për vendin dhe tarifat për kalimin e veturave dhe kamionëve ishte  informuar përmes transmetimit të emisionit në KALLXO.com.

“Po e kam pa vendin, Kallxo.com kur u bo emisioni dhe aty është folur…”- tha N. B. para gjykatës.

Në këtë seancë ishte paraparë që të dëgjohej në cilësinë e dëshmitarëve edhe D. M. dhe V. I., por për shkak të situatës  në veri të vendit nuk kanë mundur të dorëzohen thirrjet.

Në mungesë të dëshmitarëve të lartcekur, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar ditën e nesërme.

Në këtë rast po akuzohen nga Prokuroria Speciale: Zvezdan Spasojeviq, Bilana Nedelkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuçi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Lubisha Vujinoviq, Burim Merovci, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsha Gogiq.

Prokuroria Speciale pretendon se 20 policët e stacionit policor për mbikëqyrjen e kufirit në Zubin Potok kanë kryer veprat penale të sipërpërmendura.

Në maj të vitit 2020 Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 33 personave, pjesa më e madhe e të cilëve pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 16 qershor 2020, 33 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa dy të akuzuarit Krsto Subotiq, i cili ndërkohë ka vdekur, dhe Nysret Jashari kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndaj të akuzuarit Krsto Subotiq dhe Bozhidar Milosavleviq ka pushuar procedura penale për shkak se kanë vdekur.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq, Bilana Nedelkoviq, Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurahim Haxhiq që nga viti 2017 deri në vitin 2019, në vazhdimësi me të akuzuarin tjetër Dejan Vukashinoviq, në cilësi të personave zyrtarë kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit pasuror.

Zvezdan Spasojeviq në cilësinë e komandantit të stacionit, Bilana Nedelkoviq në cilësinë e udhëheqëses së ndërrimit, si dhe Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurrahim Haxhiq në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “A” të SPMK në Zubin Potok, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare duke mbikëqyrur rrugët e brezit kufitar kanë lejuar dhe mundësuar që nëpërmjet rrugëve ilegale të bëhet kontrabandimi i mallrave të ndryshme si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike si dhe mallra ushqimore nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.

Sipas aktakuzës, Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Gjukiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Zoran Vukmanoviq të akuzuar për marrje ryshfeti për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave me qëllim të shmangies së kontrollit dhe tarifave doganore.

Prokuroria pretendon se për çdo automjet të akuzuarit kanë përfituar shumën prej 20 euro deri në 150 euro, të cilat janë ndarë edhe me policët e atyre ndërrimeve.

E gjithë kjo për t’i mundësuar vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Kosovës.

Të akuzuarit e tjerë Oliver Kuzmanoviq, udhëheqës i ndërrimit “B”, Z.R. udhëheqës i ndërrimit “C”, N. G. udhëheqës i ndërrimit “D” të stacionit të SPMK në Zubin Potok së bashku me Ramadan Mustafiqin, Dejan Spasojeviqin, Dragosh Kompiroviqin, Jasna Durleviqin, Zenel Bahtirin, Bozhidar Milosavleviqin, Ali Pllanën, Krsto Subotiqin, Reshat Kuçin, Vukadin Tomasheviqin, Blagica Tomoviqin, Lubisha Vujinoviqin, Burim Merovcin dhe Blagoje Llazoviq në cilësi të policëve patrullues në kuadër të këtyre ndërrimeve, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrja ryshfetit.

Tutje në aktakuzë thuhet se Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi kanë udhëtuar për në Serbi për t’i blerë kafshët, e sipas marrëveshjes i kanë dorëzuar te të akuzuarit Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Raojkoviq, të cilët duke bashkëpunuar me të akuzuarit e tjerë në cilësi të personave zyrtarë i kanë kontrabanduar në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

Sipas Prokurorisë, për këto shërbime të akuzuarit nga tregtarët janë paguar në shumën prej 50 euro dhe 60 euro për një kafshë, ndërsa për bartjen e vetëm një kafshe kanë marrë deri në 35 euro.

Ndërsa të akuzuarit Nysret Jashari dhe Faton Isufi po akuzohen për armëmbajtje pa leje.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – Raportime të ngjashme – LINK