Gjykimi i policeve

Ish zyrtarët policor deklarohen të pafajshëm para gjykatës

Ish-zyrtarët policor Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj dhe Bedri Haliti janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Një gjë të tillë ata e kanë bërë gjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Të akuzuar për kryerjen e veprave penale ‘tregti e ndaluar  dhe shmangia nga tatimi’ janë edhe Besim Zeqiri, Jeton Zymeri, Driton Spahija, Ukë Atashi, Gentrit Zymeri, Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni.

Të lartcekurit janë deklaruar se nuk e ndjehen fajtor për veprat me të cilat i ngarkon prokuroria.

Përfaqësuesi i aktakuzës prokurori Njazi Rexha ka thënë se nga aktakuza e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë do të vërtetohet gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.

Po ashtu prokurori Rexha ka shtuar se nga provat do të vërtetohet se të pandehurit kanë bërë transportimin e 10.400 litrave naftë, raporton Kallxo.

“Së këndejmi rezulton se gjatë transportimit të derivateve të naftës i janë shmangur tërësisht pagesës së tatimeve dhe se zyrtarët policor Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj dhe Bedri Halili  i kanë dhënë informata Besim Zeqirit për gjendjen në rrugë, lëvizjet e policisë dhe nuk kanë ndalur automjetin që kanë transportuar duke i mundësuar të pandehurit Besim Zeqiri dhe ndihmësve të tij transportimin e derivateve të naftës “, ka thënë tutje në fjalën e tij hyrëse prokurori Rexha.

Mbrojtësi i të akuzuarit Besim Zeqiri, avokati Arsim Bilalli në fjalën e tij hyrëse tha se në asnjë provë të vetme të propozuar në aktakuzë nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se Besim Zeqiri është kryerës i këtyre veprave të cilat i vihen në barrë, e tërë kjo siç tha ai është e pakuptimtë pasi që i akuzuari Zeqiri nuk ka biznes në emër të tij dhe se për tu kryer kjo vepër sipas tij, mallrat dhe sendet duhet të jenë të ndaluara e që në rastin konkret sipas avokatit Bilalli, derivatet e naftës nuk bëjnë pjesë në mallrat dhe sendet e ndaluara.

Fjalën hyrëse e kanë paraqitur edhe mbrojtësit e të akuzuarve tjerë Driton Spahia, Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, avokatët  Arben Ramadani, Xhafer Maliqi e Asdren Hoxha, raporton Kallxo.

Po ashtu edhe mbrojtësit e ish zyrtarëve policorë Beqir Dajakaj dhe Bedri Haliti me rastin e dhënies së fjalës hyrëse kanë thënë që sipas tyre prokuroria nuk do të arrijë të dëshmojë fajësinë e tyre.

Ndërsa të akuzuarit Etrit Idrizi, Jeton dhe Gentrit Zymeri, Ukë Atashi, Agim Jashari, Liridon Hyseni, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, të cilët e mbrojnë vetën në këtë rast janë shprehur se prokuroria i ka ngarkuar ata padrejtësisht me këto vepra penale.

Pas përfundimit të dhënies së fjalës hyrëse seanca është shtyrë për 21 dhe 22 mars.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicë, zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj, Bedri Haliti, Mustafë Osmanaj, Haxhi Vojvoda, Sllavisha Zhivkoviq, Agron Hyseni, Shukri Basholli, Nexhat Imeri, Avdi Beqiri dhe Nazif Salihi, akuzohen se gjatë muajve mars dhe prill të vitit 2013 derisa kanë qenë në orarin e punës duke punuar në pika kontrolli të ndryshme, në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si persona zyrtarë.

Kjo aktakuzë ngarkon edhe të pandehurit Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, për kryerjen e veprës penale të ndihmës për kryerjen e veprës penale “tregti e ndaluar”.

Po ashtu Jeton Zymeri, Driton Spahija dhe Ukë Atashi akuzohen se në bashkëkryerje në fshatin Shupkovc të Mitrovicës në vazhdimësi pa autorizim kanë shitur e blerë apo edhe shkëmbyer derivate të naftës, paraprakisht duke organizuar rrjetin e shitësve-blerësve si dhe të ndërmjetësve, duke realizuar përfitimin i cili kalon shumën 15.000 euro.