Kthehet në pikën zero gjykimi ndaj 20 policëve të Zubin Potokut të akuzuar për marrje ryshfeti

 

Në Gjykatën e Prishtinës, u mbajt gjykimi ndaj 20 policëve të Zubin Potokut të akuzuar për marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këtë rast e ka pasur në trajtim gjyqtarja Shadije Gërguri, mirëpo për arsye të gjendjes shëndetësore të së njëjtës, rastin tanimë e ka në trajtim gjyqtari Mentor Bajraktari.

Me rastin e ndërrimit të kryetarit të trupit gjykues sipas legjislacionit procedura gjyqësore duhet të fillojë rishtazi, e të përsëriten fazat e procedurës.

Në këtë seancë ku të akuzuar janë 20 persona, njëri nga ta, Dejan Spasojeviq edhe pse ishte i ftuar me rregull nuk ishte prezent në sallë, e për të njëjtin avokati i tij, Ljubomir Pantoviq njoftoi gjykatën se i njëjti është në gjendje shëndetësore jo të mirë.

Për arsye se të gjithë të tjerët ishin prezent, trupi gjykues mori vendim që të bëj veçimin e procedurës ndaj të akuzuarit Dejan Spasojeviq.

Ndërsa për të tjerët njoftoi se do të vazhdohet me lexim të aktakuzës, deklarim rreth fajësisë dhe fjalën hyrëse të palëve.

Gjatë deklarimit të fajësisë, njëri nga të akuzuarit, Burim Merovci pranoi fajësinë, mirëpo trupi gjykues e refuzoi pranimin e fajësisë.

“Trupi gjykues refuzon pranimin e fajësisë nga i akuzuari Burim Merovci meqë trupi gjykues vlerëson se i akuzuari akuzohet sipas 2 pikave të aktakuzës e për të njëjtën periudhë kohore dhe trupi gjykues vlerëson se është edhe në dobi të të akuzuarit që të shqyrtohet çështja e fakteve”- tha kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari.

Në fjalën hyrëse, shumica e avokatëve deklaruan se qëndrojnë pas fjalës hyrëse të dhënë më herët.

Ku të gjithë konsideruan se prokuroria nuk ka paraqitur mjaftueshëm prova për të provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që akuzohen dhe pafajësia e tyre do të vërtetohet gjatë procesit gjyqësor.

Në këtë rast po akuzohen nga Prokuroria Speciale: Zvezdan Spasojeviq, Bilana Nedelkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuçi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Lubisha Vujinoviq, Burim Merovci, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsha Gogiq.

Prokuroria Speciale pretendon se 20 policët e stacionit policor për mbikëqyrjen e kufirit në Zubin Potok kanë kryer veprat penale të sipërpërmendura.

Në maj të vitit 2020 Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 33 personave, pjesa më e madhe e të cilëve pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 16 qershor 2020, 33 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa dy të akuzuarit Krsto Subotiq, i cili ndërkohë ka vdekur dhe Nysret Jashari kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndaj të akuzuarit Krsto Subotiq dhe Bozhidar Milosavleviq ka pushuar procedura penale për shkak se kanë vdekur.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq, Bilana Nedelkoviq, Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurahim Haxhiq që nga viti 2017 deri në vitin 2019, në vazhdimësi me të akuzuarin tjetër Dejan Vukashinoviq, në cilësi të personave zyrtarë kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit pasuror.

Zvezdan Spasojeviq në cilësinë e komandantit të stacionit, Bilana Nedelkoviq në cilësinë e udhëheqëses së ndërrimit, si dhe Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurrahim Haxhiq në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “A” të SPMK në Zubin Potok, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare duke mbikëqyrur rrugët e brezit kufitar kanë lejuar dhe mundësuar që nëpërmjet rrugëve ilegale të bëhet kontrabandimi i mallrave të ndryshme si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike si dhe mallra ushqimore nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.

Sipas aktakuzës, Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Gjukiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Zoran Vukmanoviq të akuzuar për marrje ryshfeti për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave me qëllim të shmangies së kontrollit dhe tarifave doganore.

Prokuroria pretendon se për çdo automjet të akuzuarit kanë përfituar shumën prej 20 euro deri në 150 euro, të cilat janë ndarë edhe me policët e atyre ndërrimeve.

E gjithë kjo për t’i mundësuar vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Kosovës.

Të akuzuarit e tjerë Oliver Kuzmanoviq, udhëheqës i ndërrimit “B”, Z.R. udhëheqës i ndërrimit “C”, N.G. udhëheqës i ndërrimit “D” të stacionit të SPMK në Zubin Potok së bashku me Ramadan Mustafiqin, Dejan Spasojeviqin, Dragosh Kompiroviqin, Jasna Durleviqin, Zenel Bahtirin, Bozhidar Milosavleviqin, Ali Pllanën, Krsto Subotiqin, Reshat Kuçin, Vukadin Tomasheviqin, Blagica Tomoviqin, Lubisha Vujinoviqin, Burim Merovcin dhe Blagoje Llazoviq në cilësi të policëve patrullues në kuadër të këtyre ndërrimeve, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrja ryshfeti.

Tutje në aktakuzë thuhet se Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi kanë udhëtuar për në Serbi për t’i blerë kafshët, e sipas marrëveshjes i kanë dorëzuar te të akuzuarit Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Raojkoviq, të cilët duke bashkëpunuar me të akuzuarit e tjerë në cilësi të personave zyrtarë i kanë kontrabanduar në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

Sipas Prokurorisë, për këto shërbime të akuzuarit nga tregtarët janë paguar në shumën prej 50 euro dhe 60 euro për një kafshë, ndërsa për bartjen e vetëm një kafshe kanë marrë deri në 35 euro.

Ndërsa të akuzuarit Nysret Jashari dhe Faton Isufi po akuzohen për armëmbajtje pa leje.

Zvarritet gjykimi i 20 policëve të akuzuar për marrje ryshfeti