Vesna Mikic. Foto: Lista Serbe Ranillug/Youtube

Vesna Mikiq thotë se nuk ka bërë ‘shkelje’ në deklaratat kundër NATO-s dhe shqiptarëve

Zëvendës Ministrja e shkarkuar e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Vesna Mikiq, i ka qëndruar deklaratave të saj të nxitën reagime në Kosovë për “gjenocid të NATO-s ndaj popullit dhe shtetit serb” në vitin 1999.

Në një deklaratë për televizionin shtetëror serb, RTS, Mikiq është shprehur se nuk ka bërë ndonjë “shkelje” me deklaratat e saj të cilat rezultuan me shkarkimin e saj nga pozita e zëvendës ministres nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Unë jam në këtë vend për shkak të popullit por nëse kam bërë ndonjë shkelje për atë që kam treguar se Serbia luftoi kundër terrorizmit shqiptar, le të më thotë dikush se nuk është ashtu”, tha ajo për RTS.

“E dimë të gjithë se ky është shkaku i të gjitha zhvillimeve në Kosovë ishte pikërisht ky ekstremizëm i shqiptarëve dhe veprimet e tyre kundër serbëve si dhe ushtrisë e policisë sonë, sepse ndër dekada populli ynë në Kosovë dhe Metohi ishte në shënjestër të këtyre sulmeve, përdhunimeve, shkatërrimit të varreve dhe gjithçka tjetër ndaj të cilës jemi ekspozuar”, tha Mikiq.