Biblioteka Kombëtare | Foto: KALLXO.com

Vajza e njeriut të PDK rehatohet në Bibliotekën Kombëtare

Konkursi i fundit i hapur nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës për rekrutimin e stafit  të ri ka shërbyer si rast i mirë për të afërm  të politikanëve dhe ish -zyrtarëve të lartë shtetërorë për punësimin e tyre në këtë institucion.

Disa prej të përzgjedhurve si kandidatët më të suksesshëm të konkursit kanë lidhje me politikanë apo me ish -zyrtarë të lartë shtetërorë.

Blerina Vehapi, vajza e Idriz Vehapit, ish -ministër dhe ish- kryetari i Komunës së Rahovecit nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe  Venera Nitaj, ish punëtore në Ministrinë e Kulturës janë në listën e kandidatëve më të suksesshëm konkursit.

Zyrtarë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” nuk kanë dashur të flasin për të përzgjedhurit me arsye se proceduar rreth këtij konkursi ende nuk janë mbyllur.

“Procedurat e konkurrimit tani kanë përfunduar dhe pritet fazat e ankimimeve të mundshme, nga dita e shpalljes duhen së paku 30 ditë për ankesat eventuale”, ka thënë Izet Abdyli, menaxher i personeli në BKK-në ‘Pjetër Bogdani” për KALLXO.com.

Ndërkaq kandidatët e përzgjedhur dhe familjarë të tyre kanë përjashtuar ndikimin politik rreth përzgjedhjes së tyre.

Idriz Vehapi, ish -ministër dhe ish -kryetar i Komunës Rahovecit nga PDK-ja, ka mohuar që të ketë ndikuar në përzgjedhjen e vajzës së tij si ndër pesë më të mirat në e konkursit të BKK-së “Pjetër Bogdani”.

Ai ka pohuar për KALLXO.com se pranimi i Blerinës, vajzës së tij, është meritë e saj dhe assesi e kaluara e tij, i cili siç ka deklaruar me tej se nuk bart ndonjë post në PDK.

“Asnjë ndikim nuk kam pasur. Blerina është juriste e diplomuar, me rezultate te mira, është duke i vazhduar studimet për master, ka konkurruar në shumë konkurse në institucione të ndryshme, dhe jam shumë i bindur se rezultati është i  Blerinës dhe këtë e dëshmojnë edhe proceduar e konkursit”, ka thënë Vehapi.

Edhe Venera Nitaj, e renditur si e para në listën e kandidateve më të suksesshme të konkursit, ka mohuar që ta ketë arritur atë përmes ndikimit politik, apo edhe punësim i saj për një kohë në Ministrinë e Kulturës.

“Jo, nuk kisha thënë, pasi unë gati një viti jam pa kontratë, kam qenë në shtëpi,  kam konkurruar, i kam plotësuar kushte dhe jam pranu”, ka thënë Nitaj për KALLXO.com.

Lista e kandidatëve më të suksesshëm të konkursit të BKK-së “Pjetër Bogdani”, është publikuar edhe në ueb faqen e BKK-së.

Në fund të nëntorit të 2018, ky institucion kishte hapur një konkurs publik për rekrutimin e 5 zyrtarëve për biblioteka, rezultatet e të cilit janë shpallur në fund të javës së kaluar.