Mbledhja komemorative e Universitetit të Prishtinës për Adem Demaçin, Foto: KALLXO.com

Universiteti i Prishtinës nderon Adem Demaçin me mbledhje komemorative

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka mbajtur mbledhje komemorative për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar shqiptar, Adem Demaçi.

Me një minutë heshtje, të pranishmit kanë nderuar jetën dhe veprën e Demaçit.

Myrvete Dreshaj-Baliu, profesoreshë në UP vlerësoi kontributin e të ndjerit, në arsim me veprat e tij dhe për rezistencën ndaj pushtuesve.

“Këto ditë u nda nga jeta simboli më emblematik i epokës sonë, Adem Demaçi, njëri prej personaliteteve më të mëdha shqiptare dhe i përmasave botërore, i shekullit që lamë dhe i këtij shekulli. Edhe pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, u vërejt mungesa e tij dhe po vërehet edhe sot”, tha Dreshaj-Baliu.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema tha se kumti për ‘ndarjen nga jeta të bacës Adem Demaçi, plongosi zemrat e të gjithë shqiptarëve’.

“Të rrallë janë ata që thirren me nofka të dashurisë dhe respektit nga populli. Adem Demaçi ishte unik, prandaj të gjithë e thërrisnin bacë. Emri i tij na motivoi dhe na dha guxim të jemi të pandalshëm në protesta dhe demonstrata, derisa arritëm synimin e tij për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Ai ishte i të gjithëve, jo vetëm i shqiptarëve”, u shpreh Dema.

Ndërkaq, Shqiptar Demaçi, djali i Adem Demaçit, rikujtoi vitin 1994 ku babai i tij ishte i përfshirë në protesta dhe demonstrata të studentëve për t’i arritur qëllimet për liri dhe pavarësi.