Ilustrim - Policia, falsifikim parash

Tri raste te falsifikimit të parasë, në tri lokacione të ndryshme

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar tri ankesa për falsifikim të parasë në tri lokacione të ndryshme, dy prej tyre në Prishtinë dhe një në Lipjan.

Paratë e sekuestruara nga Policia kapin shifrën rreth 650 euro.

Në njërin rast në Prishtinë dyshohet se janë të falsifikuara gjithsej 50 euro, në monedha metalike nga dy euro.

Për këtë ngjarje në Polici është ankuar një burrë, shtetas i huaj i cili ka raportuar se nga persona të ndryshëm, nga dhjetori i 2020 e deri më 16 gusht gjatë kohës kur janë bërë pagesa për ofrime të shërbimeve të ndryshme, janë vërejtur parat që dyshohet se janë falsifikuar.

Ankesën tjetër në Prishtinë për falsifikim të parasë Policia e ka pranuar më 15 gusht të këtij viti.

Ankuesi ka raportuar për 500 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Kartëmonedhën e dyshuar i njëjti e kishte vërejtur gjatë kohës kur po numëronte paratë që ishin të deponuara në bankomat.

Ngjarja ka ndodhur në Prishtinë, më 15 gusht në orën 09:40.

Edhe në Lipjan Policia ka pranuar një ankesë për falsifikim parash.

Një grua është ankuar se në bankomatin e bankës një burrë ka deponuar një kartëmonedhë në vlerë 100 euro, për të cilën ankuesja ka dyshuar se është e falsifikuar.

Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, rreth orës 14:30.

Për rastin është njoftuar Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë intervistuar të dy palët, ankuesen dhe të dyshuarin.

Policia e Kosovës ka njoftuar që të tria rastet janë nën hetim.